“Pioli e ka armën e titullit”, Milani në sytë e Sakit: Ekip i fortë, por duhen korrigjime

Milanin e ka stërvitur, por në vitet e fundit e analizon shpesh. Arrigo Saki nuk kursehet në kritika apo elozhe në varësi të momentit e të njëjtën gjë ka bërë në intervistën ekskluzive që ka dhënë të mërkurën për “La Gazzetta dello Sport”.

Si ju duket Milani i ndeshjes së parë?
Se mos kujtojnë se më një sfidë të fituar arritën suksesin. Kur të rritet mendja e rrëzohesh mund të vritesh keq. Kuqezinjtë duhet të vazhdojnë në këtë rrugë e mundësisht të përmirësohen, sepse disa korrigjime m’u dukën të nevojshme.

Si për shembull?
Do të doja të shihja një Milan më të rregullt, por nuk është se harroj ndryshimet e shumta që ajo skuadër ka pësuar. Lojtarët e rinj kanë nevojë për kohë dhe nevojitet po ashtu durim. Rëndësi ka që secili të jetë në pozicion aktiv gjatë ndeshjes, në fazat me ose pa top.

Po aspektet pozitive në Bolonjë cilat ishin?
Golat erdhën shpejt dhe ishin fryt i manovrës. Kisha jo pak dyshime duke parë se sa shumë të rinj ka në formacion, por më duhet ta pranoj që paraqitja e kuqezinjve ishte pozitive. Sidoqoftë, dihet që unë nuk kënaqem kurrë…

Ku duhet të përmirësohet më së shumti Milani?
Në agresivitet. Kur luan me 4-3-3, dy sulmuesit e krahut duhet të bëjnë edhe punë mbrojtëse. Nevojitet gjithashtu që të ushtrojnë shumë presion, por nëse Pulisiç pashë që e bënte, vura re që Leao nuk ishte fort i predispozuar. Mbase duhet të gjejë formën, por jam i bindur që skuadra ia ka nevojën.

Çfarë duhet të bëjë tjetër Pioli?
Duhet të jetë i zoti për të bindur të gjithë se të luash lojën tënde sipas planit është gjëja më e rëndësishme dhe kundërhelmi më i mirë për të ndalur kundërshtarin. Por Stefano është një trajner shumë i përgatitur dhe një njeri inteligjent. Jam i bindur se ai tashmë do të ketë identifikuar detajet mbi të cilat duhet të ndërhyjë.

Ju çfarë do të bënit po të ishit trajner i Milanit?
Duhet të përmirësohet koha e lëvizjeve, e cila duhet të jetë e saktë, si dhe të korrigjohen distancat. Milani arriti të qëndrojë i shtrirë sa më shkurt, por duhet edhe që mbrojtësit të ngjiten në vijën e mesfushës gjatë fazës së sulmit.

Çfarë mund të thoni për Pulisiçin dhe Reijndersin?
Pulisiç shënoi një gol të mrekullueshëm dhe më pëlqeu mënyra se si lëvizte në krah. Ai duhet të mësojë të ndihmojë më shumë në fazën e mbrojtjes. Reijnders dukej si një lojtar i plotësuar nga koka te këmbët. Ai i bëri të gjitha dhe i bëri mirë. Mesfushor që sulmon me kohën e duhur, e di se kur është koha për të luajtur thellë apo kur është më korrekte të bësh një pasim horizontal.

A është Reijnders një Rajkard i vogël?
Eh, mos ta ekzagjerojmë me krahasimet. Lojtarë si Frenku ka pasur pak. Por ky Reijnders më intrigon shumë dhe do ta ndjek me kujdes. Më bëri përshtypje, sepse sapo merrte topin, gjithmonë tregonte se dinte çfarë të bënte. Kjo do të thotë se ai mendon përpara të tjerëve dhe ky nuk është një avantazh i vogël.

Çfarë mendoni për mbrojtësit e krahut që veprojnë si mesfushorë qendre?
Një ide e mirë që, logjikisht, duhet të përsoset. Mbrojtësit e krahut, si të gjithë lojtarët e tjerë, duhet të nxitojnë në hapësirat e lira. Kjo parashikohet në futbollin modern, i cili nuk është më futbolli statik dhe disi i mërzitshëm i viteve ’60. Milani duket se dëshiron të vazhdojë në rrugën e modernitetit dhe kjo më gëzon shumë.