Pjesë e operacionit të Europol në 28 shtete/ Policia shqiptare në 7 muaj prangos 14 persona, sekuestrohen mbi 100 000 euro medikamente mjekësore

Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me operacionin e madh të zhvilluar nga Europol në 28 shtete, mes tyre dhe Shqipëria.

Policia shqiptare ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar “Shield”, i koordinuar nga Europol, për goditjen e trafikimit të barnave të falsifikuara dhe të substancave të rrezikshme për shëndetin.

Operacioni u zhvillua nga muaji prill deri në muajin tetor të vitit 2022, u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore të 28 vendeve.

“Gjatë periudhës 7-mujore të zhvillimit të këtij operacioni ndërkombëtar, Policia shqiptare ka zhvilluar 6 operacione dhe megaoperacione për goditjen e kontrabandimit të barnave mjekësore. Gjatë këtyre operacioneve janë vënë në pranga 14 shtetas, janë proceduar penalisht 6 shtetas, si dhe janë sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore, me vlerë mbi 100 000 euro”, bën me dije policia.

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Shield”, në të gjitha vendet e përfshira, u goditën 59 grupe kriminale dhe u ndaluan 349 persona të dyshuar.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan sasi të mëdha të barnave të falsifikuara, substanca dopingu, suplemente të paligjshme ushqimore dhe sportive, vaksina të falsifikuara kundër COVID-it, produkte sanitare dhe pajisje mjekësore