Shpërthejnë trukimet në Ligën e Konferencës dhe me sa duket, protagoniste janë përsëri skuadra ballkanase, të akuzuara shpesh për gjëra të tilla. “The Athletic” bën të ditur se turneu i cili sheh zakonisht si protagoniste skuadra të niveleve më të ulëta të futbollit europian, është sinjalizuar nga monitoruesit e kompanive të basteve për dy ndeshje të veçanta.
E para është fitorja e Alashkert të Armenisë në transfertë ndaj Arsenal Tivat të Malit të Zi me shifrat 6-1. Një fitore që mundësoi Alashkert që të kalonte në turin tjetër me rezultatin e përgjithshëm 7-2 pasi ndeshja e parë ishte mbyllur me barazimin 1-1.
Ndërsa e dyta është fitorja e letonezëve të RFS me shifrat 4-1 në shtëpi përballë Makedonija GP të Maqedonisë së Veriut. Edhe në këtë rast, ndeshja e parë kishte përfunduar me shifrat 1-1.
Flukset e basteve për këto ndeshje kanë qenë jashtë parametrave normale, ndaj është mësuar se UEFA ka hapur hetime për sfidat në fjalë, me dyshime për trukimin në favor të basteve sportive.