Policia e Sarandës bën namin veror, Arreston të plagosurit që mezi shpëtuan, ndërsa autorët e armatosur i dërgon me sukses në “kërkim pushimor”!

Në Sarandën e bukurisë bregdetare dhe drejtësisë pa busull, sot kemi një histori nga ato që të bëjnë të ndash mendjen: të qeshësh apo të ulërasësh.

Dy të rinj nga Kamza, Gëzim Hajdaraj (33) dhe Ernest Lama (24), janë qëlluar me armë zjarri në mes të ditës, në një qytet plot turistë, pranë stadiumit të qytetit. Plumba, britma, gjak – një ditë normale vere në Shqipërinë ku kallashët flasin para ligjit.

Por ja ku vjen kulmi: pasi u qëlluan, u plagosën dhe u transportuan në spital… policia i arrestoi. Po, nuk është shaka. Viktimat e atentatit përfunduan të shoqëruar. Sepse në këtë vend, nëse nuk ke armë, të paktën mbaj avokatin me vete kur plagosesh, mos të të marrin për autor.

Sipas burimeve nga redaksia, autorët janë identifikuar: dy vëllezër që njihen më shumë nga kamerat e sigurisë sesa nga ndonjë dosje penale e mbyllur ndonjëherë me sukses. Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, dhe Erjon Canaj, u panë duke u larguar pas të shtënave. Policia, si zakonisht, “po punon për kapjen e tyre”, çka do të thotë se u kanë parë targën por s’i kanë ndjekur që mos prishin qetësinë e pushuesve.

Në vendngjarje u gjet një çantë me një armë brenda një detaj që normalisht do të ngjallte hetim, por jo në Shqipëri. Këtu, çanta s’ka rëndësi. Rëndësi ka që ata që u qëlluan ishin gjallë dhe kjo mjafton që t’i merrnin për “sqarim”. Mbase nuk kishin leje qëndrimi në jetë.

Policia po kreh zonën… ndoshta për ndonjë peshk pa licencë, se ata me armë janë të lirë, mos i shqetëson dot në gusht.

Morali? Në këtë vend, nëse do të jesh i sigurt, bëhu autor. Se viktimat nuk kanë avokat, nuk kanë mbrojtje… dhe shpesh nuk kanë më as të drejtën të quhen viktima.

Policia e Sarandës ka dhënë një tjetër shembull spektakolar të punës profesionale: sapo u qëlluan dy të rinj, jo vetëm që nuk i mbrojtën, por i arrestuan me përpikmëri, si për t’i ndëshkuar që guxuan të mos vdisnin.

Ndërkohë, autorët e armatosur, me gjasë të lodhur nga krimi, janë dërguar me shumë kujdes në “kërkim pushimor”, ndoshta në ndonjë resort me pamje nga deti.

Se këtu, po nuk pate plumba në brez, të kap ligji; po pate armë, të falin edhe kafen e pasdrekes. Bravo Sarandë, më në fund turizmi ka ofertë edhe për kriminelët!