Durrës, trafiku i drogës në portin më të madh të vendit, ai i Durrësit, vijon të lulëzojë pa asnjë pengesë të dukshme nga strukturat shtetërore. Prej më shumë se 5 vitesh, asnjë goditje domethënëse ndaj rrjeteve të trafikut nuk është shënuar nga Policia e Shtetit, duke ngritur dyshime serioze për ekzistencën e një pakti të heshtur mes krimit dhe segmenteve të strukturave shtetërore.
Ndërkohë që porti i Durrësit shërben si një korridor aktiv për sasi të mëdha droge drejt Italisë dhe më gjerë, institucionet që duhet ta mbrojnë janë në gjumë të thellë institucional ose më keq, në shërbim të trafikut. Skafandrat përdoren më shumë për zhytje në heshtje sesa për ndalimin e paligjshmërive.
Në raportet ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të përmendet si nyje kritike e trafikut të narkotikëve në Ballkan dhe Evropë. Dhe qendra nervore e kësaj veprimtarie, porti i Durrësit, është shembulli më flagrant i dështimit (apo bashkëpunimit?) institucional.
Në vend që të ishte porti më i sigurt në vend, është kthyer në një “autostradë detare” të drogës, ku i vetmi kontroll real duket të jetë ai i orarit të punonjësve që njoftojnë kur nuk janë në detyrë.
Ironikisht, vetë drejtuesit lokalë të policisë dhe doganave flasin për “masat e rrepta” dhe “kontrollet rigoroze”, ndërkohë që trafikantët e vërtetë vazhdojnë punën e tyre pa shqetësim, si të ishin pjesë e stafit portual.
Dhe ndërsa qytetarët arrestohen për një cigare hashash, tonelatat kalojnë nën hundën e shtetit. Durrësi është kthyer në një laborator të korrupsionit të heshtur, ku gjithçka duket e pastër në letër, por e kalbur në realitet.