Prapaskenat e sherrit pas Napoli-Milan / “Mos na bëj si Rambo”, zbulohet si Maldini provokoi Spaletin

Të dielën në mbrëmje në stadiumin “Maradona”, Milani, me “Scudetton” ende në gjoks, i shpjegoi Napolit se diferenca prej 20 pikësh mes dy skuadrave nuk duhet të na bëjë të harrojmë se vetëm pak muaj më parë ishte “djalli” ai që bëri ligjin në Itali. Ja pra që diçka nga ajo forcë ka mbetur në damarët dhe zemrat e kampionëve.Në të vërtetë më shumë se diçka, duke gjykuar nga 4-0 e zhurmshme me të cilën përfundoi ndeshja dhe që solli skuadrën blu me këmbë në tokë pas udhëtimit triumfal – si në Serinë A ashtu edhe në Ligën e Kampionëve – që zgjat që nga fillimi i sezonit. Deri më tani, askush nuk e kishte shtypur Napolin kaq haptazi.

Liverpuli, Interi dhe Lacio e kanë mundur, por duke mos i dhënë të tillë leksion. Kjo e bën të kuptueshëm edhe nervozizmin e Luçiano Spaletit që përveç se humbi betejën taktike me Piolin, humbi edhe një rast për të treguar se di të humbasë.

REPLIKAT – Në fakt, tensioni në Napoli-Milan ishte i dukshëm kur lojtarët u larguan nga dhomat e zhveshjes për t’u kthyer në fushë dhe kamerat kapën një debat mjaft të ndezur mes Spaleti dhe drejtorit të zonës teknike kuqezi, Paolo Maldini. Tonet u ngritën për disa sekonda në tunel, por më pas historia përfundoi aty.

Në veçanti, zëri i ish-kapitenit të Milanit dëgjohet duke i thënë diçka trajnerit napolitan, i cili duket se përgjigjet me këto fjalë: “Mos e dëshpëro veten kështu”.

Më pas, menaxheri i “djallit” përpiqet të qetësojë teknikun, duke i thënë dy herë: “Shihemi më vonë… shihemi më vonë pa merak…” Por Spaleti ka ende diçka për të thënë dhe ndalet me një buzëqeshje sarkastike pranë Leaos dhe në atë moment Maldini i thotë një fjali tjetër që fillimisht u interpretua si “Përse je nervoz, po fiton kampionatin, çfarë dreqin do më shumë”.

“Trajner jeni nervoz, keni parë shumë filma me Rambon. Çfarë dreqin janë këto sjellje”, shton Maldini, i cili dukshëm pa në sjelljen e Spaletit tiparet tipike të protagonistit të filmit të suksesshëm, i luajtur nga Silvester Stalone.

Kaq duket të ketë ndodhur në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që për drejtuesin e “djallit” nuk ka pasur më arsye e hapësirë për të vijuar diskutimin.

VERSIONI I SPALETIT – Për këtë çështje, trajneri i Napolit foli pas ndeshjes për të dhënë këndvështrimin e tij për atë kishte ndodhur.

“Me Maldinin ndodhi diçka e pashpjegueshme. Ai më kërkoi sqarime, ndërkohë që po flisja me arbitrin, sepse po i kërkoja shpjegime për kartonin e verdhë të Lobotkës pas 2-0 në buzë të zonës, ku bën një faull shumë normal dhe ku kryesori e interpreton si karton të verdhë. Kaq po pyesja dhe Maldini erdhi pranë, duke tundur krahët, duke më folur dhe duke bërë sikur po bëja diçka që unë nuk e di. Sidoqoftë, ai m’u drejtua pa respekt”.

Asgjë serioze, sigurisht, të gjithë e lanë prapa krahëve siç u ka hije sportistëve, por me siguri Spaleti nuk do ta kishte menduar kurrë të krahasohej me Xhon Rambon e pikërisht nga një legjendë si Paolo Maldini.