Pas Samitit të 27 vendeve anëtare të BE-së, që ishte jo i mbarë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi çelja e negociatave u bllokua sërish nga një veto e Bullgarisë, kryeministri Edi Rama ka folur për mediat ndërkombëtare.
Në një intervistë për CorrieredellaSera, Rama thotë se e djeshma ishte një ditë e keqe dhe nuk e ka fshehura aspak zhgënjimin nga pafuqia që tregon Bashkimi Europian në zgjidhjen e ngërçit.
Rama gjithashtu ka shprehur mbështetjen për nismën e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ka kërkuar që të ngrihet një bllok paralel me Bashkimin Evropian ku pritet të bëhen pjesë të gjitha vendet e Ballkanit që synojnë BE-në.
Por ai e ka mbyllur intervistën me një paraljmërim për vendet e bllokut, duke thënë se Ballkani rrezikohet nga përfshirja e një poli të dytë influence, që është bashkim i dy fuqive si Kina dhe Rusia, që prej kohësh tentojnë të shrijnë tentakulat në rajon.
Ditë e keqe pse?
“Sepse nuk ishte e mundur të lironim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pengje të vetëm një vendi të BE-së, Bullgarisë, e cila është edhe anëtare e NATO-s njësoj si ne. E gjithë kjo përballë 26 shteteve të tjera anëtare që duken të pafuqishme dhe me një luftë para portave”.
Pse jeni peng i Bullgarisë?
“Thjesht për çështjet e tyre të brendshme politike, asgjë më shumë”.
A prisnit një hap përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
“BE nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Dhe nuk e them unë, të njëjtët drejtues të komunitetit e pranojnë që ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, por pavarësisht kësaj jemi ende të vendosur”.
A diskutuat me presidentin francez Macron, me atë të Këshillit Evropian Michel dhe me Komisionin von der Leyen. Çfarë i thatë njëri-tjetrit?
“Ne diskutuam se si të dilnim nga kjo situatë dhe u thashë se mbështesim idenë e një komuniteti të ri evropian.
A duhet hequr unanimiteti nga vendimet e BE-së?
“Unë me të vërtetë mendoj kështu, 100%. Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme për vendet anëtare, e cila ka historinë dhe rëndësinë e saj. Por ka ardhur koha për ta hequr atë”.
Keni folur për këtë me kryeministrin italian Mario Draghi?
“Sigurisht. Diskutuam këtë situatë, urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje. Ne diskutuam gjithashtu ndikimin rus në Ballkan”.
A rrezikohet Ballkani nga infiltrimi nga Rusia dhe Kina me këtë ngërç?
“Nuk ka dyshim se zona përfaqëson një pikë të dobët të kontinentit për sa i përket rrezikut të depërtimit nga subjekte të tjera. Nëse shikojmë Rusinë, është e qartë se ajo ka mënyrat dhe kanalet e veta që e bëjnë Ballkanin të pambrojtur: kjo është arsyeja pse ne dhe shtetet e tjera të zonës po punojmë për Ballkanin e hapur që pret të anëtarësohet në BE”.
Putini do të jetë i lumtur me këtë ngërç…
“Putini mund të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por Bashkimi Evropian nuk është më mirë”.
Si trajtohet atëherë BE-ja?
“Nuk mund të them asgjë për këtë: ne nuk jemi ende brenda Unionit dhe nuk na takon neve të ofrojmë trajtimin. Por nevoja për të nisur një reformë të thellë të BE-së është shfaqur qartë midis liderëve të BE-së, diçka që ata e kanë thënë prej vitesh”.
A e mbështesni idenë e një BE me dy shpejtësi?
“Mendoj se çdo gjë e re brenda BE-së është më e mirë se kjo situatë, kjo status quo e papranueshme”.
A e lë në hije fatin tuaj hapja ndaj Ukrainës?
“Aspak. Janë dy skedarë të veçantë. Ukraina meriton të jetë një kandidate për anëtare të BE-së, edhe nëse statusi nuk sjell shumë më tepër, siç e tregon historia e Shqipërisë”.
A duan ende shqiptarët të anëtarësohen në BE?
“Nuk mund të jap përqindje, por qëndrimi i shqiptarëve ndaj Europës nuk ka ndryshuar: duan të jenë anëtarë dhe protagonistë aktivë të BE-së”.
Kur mendoni realisht se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?
“Sinqerisht? E pamundur të thuhet. Të parashikosh lëvizjet e BE-së është si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore”.