Problem apo zgjidhje/ Leao në qendër të dilemës, portugezi stonon në momente vendimtare

SITUATA – A është problemi i Leaos Milani? Jo. Por për momentin nuk është as zgjidhja në Ligën e Kampioneve dhe këtë e ka dëshmuar.

Pas debutimit të tij në kompeticion me një gol kundër Atletikos së Madridit në “San Siro” dhe një goditje të bujshme me kokë në të njëjtën ndeshje, Leao e lejoi veten të mbytet dhe të thithet nga mbrojtja kundërshtare praktikisht gjithmonë me përjashtim të paraqitjes së shkëlqyer në Zagreb kundër Dinamos modeste.

Kur u ngrit steka, performanca e tij u ul proporcionalisht e në mënyrë shqetësuese. Në dy ndeshjet kundër Çelsit numri 10 kuqezi u pa pak, siç ishte edhe ndaj Totenhemit në sezonin e kaluar.

Ndaj Njukasëllit dhe Dortmundit në këtë edicion ai ishte një protagonist negativ dhe as në Paris nuk dha kurrë ndjesinë se mund të linte gjurmë. Përjashtimi ishte kundër Napolit në çerekfinalet e edicionit të kaluar, jo çuditërisht një skuadër italiane. Shumë pak për një lojtar që është 24 vjeç.

SA PAK LEAO – Duke folur për skenarët e lojës së Milanit, ai me në qendër Rafael Leaon po bëhet përsëritës. Portugezi, ndoshta i ngarkuar nga shumë përgjegjësi, tani është tepër i parashikueshëm: lëvizje të zakonshme, tentativa të zakonshme dhe pak qëndrueshmëri në zonën e rreptësisë.

Detaje, ose më mirë shumë më tepër, që nuk kalojnë pa u vënë re: Fanella me numrin 10 peshon, por nëse ish-lojtari i Liles dëshiron të zgjedhë veten si forcë lëvizëse e vërtetë duhet të jetë më vendimtar.

Sidomos në Europë, ku impakti i individit bën diferencën. Për informacion pyesni Mbapenë. Megjithatë, Milani duhet të jetë i vetëdijshëm se Rafael Leao është një aset i klubit dhe teknik.

Lojtari i admiruar në katër muajt e fundit që çuan në kampionatin në 2022-shin është i aftë të çajë ndeshjet në dysh, por ndoshta duhet të gjejë një kontekst më të organizuar që mund t’i lejojë gjithashtu të marrë më shumë përgjegjësi përballë shokëve të tij, ndonjëherë duke lënë mënjanë sipërfaqësinë dhe buzëqeshjen për një “cinizëm” më të shëndetshëm.

Tetëmbëdhjetë topa të humbur nga Rafael Leao (50 në total), duke krijuar vetëm një mundësi reale dhe duke goditur (keq) katër herë. E gjithë kjo, madje humbi buzëqeshjen në fund të ndeshjes me një protestë të ashpër ndaj arbitrit.