Gazetari Ardit Hoxha i cili raportoi për disa ditë situatën në Turqi tregoi tmerrin që ka parë në zonat e prekura nga tërmeti tragjik i mëngjesit të 6 shkurtit.
Në një intervistë për Euronews Albania ai tha se kamerat nuk kanë përcjellë as gjysmën e asaj që ka ndodhur në të vërtetë në Turqi, ndërsa shtoi se qytetet kundërmonin.
Më tej ai theksoi se qindra trupa janë ende nën rrënoja.
“Situata është e vështirë për t’u përshkruar. Qytetet ishin shkatërruar, njerëzit nxirreshin nga rrënojat dhe liheshin afër tyre. Njerëzit e tjerë kërkonin familjarët e tyre. Kam qenë në Durrës dhe Thumanë kur ka ndodhur tërmeti i 26 nëntorit, por atë që kam parë në Turqi janë pamje që të ngelen gjithë jetën në kokë.
Kam përshtypjen se ajo që mund të përcjellë kamera është vetëm gjysma e asaj që atje vërtetë kanë ndodhur. Qytetet dhe rrugicat kundërmonin. Gazetarët në Turqi na kanë treguar se gjysma e banorëve kanë ngelur nën rrënoja.
Vetëm në një kompleks, pronari i të cilit tentoi të arratisej, ishin të paktën 500 persona të pa nxjerrë ende nga rrënojat”- tha ai.