Xhelal Mziu i ka dhënë nipit të Sadri Abazit në vitin 2018 koncesionin për pastrimin e plehrave të Kamzës, me vlerë 13 milionë euro, duke deformuar konkurrencës dhe kriteret, në funksion të paracaktimit të fituesit.
Në gusht të vitit 2019, Xhelal Mizut i mbaroi mandati si kryebashkiak dhe në krye të Bashkisë së Kamzës u emërua Rakip Suli, pasi opozita bojkotoi zgjedhjet.
Rakip Suli eci në gjurmët e pazareve dhe aferave të Xhelal Mizut. Nëse Mziu finalizoi pazarin me Sadri Abazin për plehrat e Kamzës, Rakip Suli ka lejuar moszbatimin e kontratës nga ana e Sadri Abazit, duke qelbur Kamzën në plehra.
Rakip Suli dhe rrethi i tij në Bashkinë e Kamzës nuk kanë marrë asnjë masë ndaj kompanisë së nipit të Sadri Abazit, i cili nuk zbaton kontratën.
Në vend që të ndërpriste menjëherë kontratën dhe të hapte garën për kryerjen e këtij shërbimi nga një kompani serioze, Rakip Suli vijon t’i kalojë pagesat nipit të Sadri Abazit, pa kryer shërbimin e pastrimit.
Skandali është dokumentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes një raporti mbi korrupsionin frikshëm në Baskinë e Kamzës, gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020.
Në raport konstatohet korrupsioni i hapur dhe vulgar i Rakip Sulit dhe rrethit të tij me tendera, në bashkëpunim me ish klientët e Xhelal Mziut. Vjedhja e parave publike vijon që kriteret e absurde dhe me dy standarde për tenderat, mashtrimi me cilësinë e punimeve, deri tek dyert dhe dritaret.
Raporti duhet të jetë bazë për SPAK për të goditur korrupsionin në Bashkinë e Kamzës, themeluar nga Xhelal Mziu dhe që po konsolidohet nga Rakip Suli.
Koncensioni i plehrave
Kontrata koncensionare për pastrimin e plehrave të Kamzës, e nënshkruar në vitin 2018 ndërmjet ish-kryebashkiakut të djathtë, Xhelal Mziu dhe kompanisë së familjarëve të ish-deputetit socialist, Sadri Abazi, krijoi publikisht idenë se çështjet financiare i bashkojnë personazhet opozitarë me njëri-tjetrin.
Por, elementi politik është vetëm një aspekt i koncesionit problematik.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka identifikuar së fundmi disa problematika ligjore në dokumentat e procedurës, mbi bazën e të cilave krijohet dyshimi për paracaktim të procedurës me me fond rreth 13 milionë dollarë dhe me afat realizimi 12 vjet.
Tenderi për dhënien me koncesion të shërbimit të pastrimit të Kamzës u zhvillua në Prill të vitit 2018, kur drejtues i Bashkisë ishte Xhelal Mziu, aktualisht deputet i Partisë Demokratike në opozitë.
Në tender marrin pjesë 5 operatorë ekonomikë. Komisioni përkatës skualifikoi katër konkurrentë.
Në garë mbeti vetëm shoqëria “Alko Impeks General Construction”, e cila përfaqëson interesat financiare të ish-deputetit socialist, Sadri Abazi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar së fundmi raportin e auditit financiar në Bashkinë e Kamzës, ku përfshihet edhe procedura koncensionare për shërbimin e pastrimit të zonës.
Shmangie e konkurrencës
Kontrollorët shtetërorë kanë konstatuar se disa prej kritereve kualifikuese në procedurat tenderuese zvogëlojnë ndjeshëm konkurencën, duke mos respektuar parashikimet ligjore.
Janë detaje të vogla, por që bëjnë diferencë të madhe.
Një nga kriteret kualifikuese në tender ishte fakti që Drejtuesi Teknik i operatorit ekonomik duhet të figurojë në listë-pagesat e saj të paktën 6 muajt e fundit.
Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, “…vendosja e kriterit mbi eksperiencën në shoqëri, është pa arsye në objektin e prokurimit me qëllim s’kualifikimin apo shmangien nga tenderimi e sa më shumë operatorëve ekonomikë”.
Po ashtu, në lidhje me eksperiencën në shërbimin e pastrimit, Bashkia Kamzës kishte përcaktuar se Drejtuesi teknik i kompanive pjesëmarrëse në tender duhet të kishte eksperiencë jo më pak se 5 vite në fushën e ofrimit të shërbimit të pastrimit.
Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, “Personi i cili fiton statusin e Drejtuesit Teknik në një shoqëri ka tagrin e plotë të realizojë çdo kontratë në fushën për të cilën është diplomuar dhe për të cilin ka funksionin e Drejtuesit Teknik. Pra, nuk mund të përjashtohet nga procedurat e prokurimit një operator ekonomik i cili ka drejtues teknik për të realizuar këtë kontratë që prokurohet por nuk plotëson kriteret që drejtuesi nuk ka punuar 5 vite eksperience pune…”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gjithashtu se kërkesat e Bashkisë Kamës për të pasur për të paktën 6 muaj e fundit disa personave me funksion inxhinier, ndikon në konkurrencë.
“…Një operator ekonomik i cili plotëson përgjithësisht kriteret kualifikuese, nuk merr pjesë në garë pasi ndonjë nga ekspertët e sipërcituar nuk e ka të punësuar për 6 muaj në listë pagesë”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Megjithatë, aspekti më i rëndë i kësaj histori abuzimi është se nipi i Sadri Abazit po merr paratë, duke moszbatuar kontratën.