Refuzoi rinovimin me Interin, tifozët zikaltër i dalin kundër titullarit të Inzagit

Milan Shkriniar do të përballet sot në mbrëmje për herë të parë me tifozët në “San Siro”, pas refuzimit të tij për të rinovuar kontratën me Interin.
Momentalisht kapiteni i Interit me Handanoviçin në stol, sllovaku është konsideruar gjithmonë një nga liderët e zikaltërve, që nuk kanë ngurruar ta “lusin” për të qëndruar në Milano me anë të banderolave në dy ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi.

Situata ndryshoi ama pas përgjigjes së mbrojtësit dhe tifozët kanë ndryshuar qasje, duke i kërkuar klubit t’i heqë shiritin 27-vjeçarit, një kërkesë që Inzagi e ka refuzuar për të mos prishur atmosferën e dhomave të zhveshjes, të paktën deri në rikthimin e Brozoviçit për të marrë shiritin si lojtari që i mban veshur për një kohë më të gjatë ngjyrat zikaltër.

Një asist në gjithë situatën mes tifozëve dhe Shkriniarit e ka dhënë edhe Kristof Galtie, trajneri i PSG-së që është shprehur: “Nuk mund t’ju them nëse Shkriniar do të mbërrijë tani në janar apo në verë, drejtuesit po punojnë”, duke mos e mohuar kështu akordin e gjetur me sllovakun.