Revolucion në sulmin e Interit, dyshja ofensive e Italisë drejt zikaltërve

Interi duhet të kthejë faqe dhe të lërë pas humbjen në finalen e Champions League për të përgatitur sa më mirë sezonin e ardhshëm. Sigurisht që shumë nga këto përgatitje deri në rikthimin në fushë do t’i përkasin merkatos dhe planeve të saj dhe drejtuesit zikaltër kanë nisur që tani manovrat.

Duket se një vëmendje të veçantë do të marrë reparti ofensiv, aty ku i vetmi i padiskutueshëm është Lautaro Martinez. Edhe pse Real Madridi e ka në listë argjentinasin, në Milano janë të qetë, sepse nuk pritet asnjë ofertë treshifrore që mund ta detyrojë klubin ta konsiderojë. Por çdo gjë tjetër rreth “demit” është në dyshim, aq sa Lautaro mund ta gjejë veten sezonin e ardhshëm me të tjerë shokë skuadre.

LUKAKU, XHEKO, KORREA – E ardhmja e Lukakut, që i skadon huazimi në 30 qershor, pritet të vendoset në dy javët në vijim, atëherë kur do të ketë një takim me drejtuesit e Çelsit, edhe pse klubi zikaltër dhe sulmuesi kanë qenë të qartë në dëshirën e tyre për të vazhduar së bashku, me vendimin që do t’u takojë londinezëve.

Nga ana tjetër, dukej i sigurt rinovimi i Xhekos në skadencë kontrate për një kontratë “alla Zhiru” edhe për një vit me 3.5 milionë euro në sezon (fiton 5 aktualisht), por hyrja në lojë e Fenerbahçes i ka ndryshuar dinamikat.

Turqit janë gati t’i ofrojnë një kontratë dyvjeçare, 37-vjeçarit, dhe Xheko duket i joshur nga propozimi. Me valixhe në duar duket ndërkohë Hoakin Korrea, paraqitjet e të cilit kanë qenë të pamjaftueshme për të siguruar qëndrimin dhe pritet të largohet gjatë kësaj vere.

ALTERNATIVAT – I pari në listën e zikaltërve është Xhanluka Skamaka, një opsion i ndjekur edhe në të shkuarën. Italiani do të largohet nga Uest Hemi, që është i hapur për huazimin dhe Marota e Auzilio po e monitorojnë situatën në rast largimi të Xhekos.Një tjetër profil që vazhdon të ndiqet me kërshëri është ai i Mateo Reteguit, sulmuesit italoargjentinas, kartoni i të cilit vlerësohet me 18 milionë euro, ashtu si ai i Dodi Lukebakios, belgut të Herta Berlinit, që çmohet me 10 milionë euro.Me një sërë pasigurish në operacionet e merkatos, një gjë është e sigurt, që sulmi i Interit do të rinovohet shumë shpejt dhe golat zikaltër priten të kenë autorë të rinj.