Rrengu i çuditshëm i tifozëve ne derbi, gjuajnë rivalët me minj të ngordhur: Janë shtuar shumë

Kjo fundjavë ka sjellë në kampionatin belg derbin e Vallones, mes Standard Liezh dhe Sharlërua, aty ku historikisht vëmendjen më të madhe e kanë marrë tifozët. Si një derbi i madh në Belgjikë, edhe këtë herë nuk mund të kalonte pa bujë.

Tifozët miq kanë udhëtuar të shumtë në drejtim të Liezhit, aty ku edhe kanë bërë një surprizë të pakëndshme për tifozët vendas. Të maskuar si dezinfektues, tifozët e Sharlërua kanë hedhur minj të ngordhur dhe të lyer me të kuqe mbi tifozët e Standard Liezhit. Gjatë gjithë javës nëpërmjet rrjeteve sociale, tifozët e Sharlërua kanë ironizuar me tifozerinë vendase duke i konsideruar si minj.

“Pas përmbytjeve të fundit dhe punimeve për tramvajin e Liezhit, në qytet janë shtuar shumë minjtë dhe këtë e kanë vënë re edhe qytetarët që ecin rrugëve të qytetit. Ne jemi vrasësit e minjve dhe duhet ti pastrojmë nga qyteti”, ishte mesazhi i tifozerisë së Sharlërua në drejtim të kundërshtarëve. Megjithatë, tifozeria u largua me kokën poshtë nga derbi duke qenë se Standard Liezh fitoi me rezultatin 3-1, duke forcuar pozitat në klasifikim.