Rusia po i ‘kafshon’ qytetet ukrainase një e nga një

Nga Joe Inwood, BBC

Rusët po përpiqen që të rrethojnë dy qytete, Severodonetsk dhe Lysychanks. Është një përpjekje për të futur në kurth dhe rrethuar katër batalione ukrainase.

Gjëja kryesore, nëse duan ta bëjnë këtë, është që të ndërpresin autostradën e vetme që shkon në këto qytete.

Pamje të jashtëzakonshme kanë ardhur brenda natës nga AFP. Aty shihen predha duke shpërthyer në të dyja anët e kësaj rruge, shtëllunga të mëdha pluhuri dhe tymi që ngrihen lart. Është diçka vërtet e frikshme.

Rruga nuk është mbyllur, por i afrohet mbylljes duke pasur parasysh nivelin e bombardimeve me artileri.

Guvernatori i rajonit, Sehiy Haidai ka thënë se situata është shumë, shumë e vështirë për forcat ukrainase.

Unë mendoj se po shohim një taktikë të re nga rusët. Në vend që të ndërmarrin sulme të mëdha gjithëpërfshirëse për të fituar sipërfaqe të mëdha territoriale, ata po ‘kafshojnë’ pak e nga pak në territorin ukrainas.

Në këto dy qytete, duhet të themi se ka shumë forca ukrainase të pozicionuara mirë dhe shumë të forta në betejë. Këto janë disa nga trupat më të mira që ka Ukraina.

Për sa i përket implikimeve të marrjes së këtyre qyteteve- kjo do të thotë se rusët do të marrin të gjithë këtë rajon dhe do të bllokojnë një numër të madh të forcave ukrainase.

Por kjo nuk do e ndryshojë dinamikën e përgjithshme të luftës. Do të ishte vetëm një fazë tjetër në përparimin rus.