Salillari “mbret” edhe në Dimal, fiton të gjithë tenderët nga Bashkia dhe Drejtoria e Kullimit

Nga Boldnews.al

Bashkia e Dimalit është një nga institucionet e qeverisjes lokale më të vogla të Shqipërisë, një bashki me një buxhet të vogël. Por, kjo s’e ka penguar një nga firmat më të mëdha në Shqipëri, “Salillari” të përfitojë nga fondet e kësaj bashkie. Në fakt, automjete të kësaj firme qendrojnë prej kohësh në unazën e këtij qyteti, teksa vijojnë punimet prej shumë kohësh. Ata po sistemojnë pjesë në afërsi të lumit Osum, ndërsa një Zot e di se çfarë po bëjnë në atë zonë. Pjesa me plepa është mbuluar me dhera, ndërkohë janë bërë disa trotuare të cilat nuk janë fare të aksesueshme nga ky “qytet i vdekur”.Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, për një kohë të shkurtër, “Salillari” ka përfituar një shumë prej 4 milionë eurosh nga kjo bashki, e drejtuar në mandatin e tretë nga Juliana Memaj. Në fakt, Juliana shkon në zyrë një apo dy herë në javë, pasi banon në Tiranë. Por, në momentet më kyçe, siç është firmosja e tenderëve, gjithmonë është e pranishme! Por, kur mbaruan paratë e kësaj bashkie, “Salillari” ka hedhur zyrë nga paratë e Drejtorisë së Kullimit të Korçës, që mbulon edhe Qarkun e Beratit. Me një të rënë të lapsit, edhe pse jo oferta më e ulët, sërish “Salillari” është shpallur fitues për një punë mbrojtje lumore në Dimal. Nuk doli ndonjë firmë tjetër për punë në Dimal?!

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë ka shpallur firmën “Salillari” fituese të një pune për mbrojtje lumore. Dokumenti i mësilërm është shpallur në datë 11 dhejtor 2023, ndërkohë që bën fjalë për kontratë për punë publike. Objekti i tenderit ishte “Mbrojtja nga përmbytjet e lumit Osum tek Ura e Re, Bashkia Dimal”. Pra, në të njëjtin vend që automjetet e Salillarit qendrojnë prej shumë muajsh. Të jetë rastësi, apo fituesi është i paracaktuar?! Vlera e tenderit ishte 65.472.270 lekë pa TVSH, ndërkohë që punimet duhet të kryhen brenda 4 muajve.

Firma fituese, oligarku Salillari ka ofruar 45.634.826 lekë pa TVSH, teksa në tender ka pasur edhe oferta më të ulëta si ajo e BOE “ASI-2A CO” & “Shendelli”. Ofertë më të ulët ka paraqitur edhe një firmë me bazë në Dimal, “BESTA” që operonte me firmën “Zeqirllari”. Oferta e tyre ishte 37.747.420 lekë pa TVSH. Por, këtu filloi edhe operacioni “gërshëra”, ku nga 10 firmë në garë u s’kualifikuan plot 8 të tilla, bashkë me ato me ofertat më të ulëta. Nëse do të shohësh listën e pjesëmarrësve vihet re se janë ato që bëjnë punime ndërtimi, fitojnë tendera në bashki të ndryshme. Por, në këtë rast u s’kualifikuan, duke i hapur rrugë Salillarit të bëjë një punë që ndoshta e ka kryer prej shumë muajsh, por vetëm do të fusë paratë në xhep!