‘Sapo qëllova gjyshen në kokë. Tani do shkoj të gjuaj te shkolla fillore’

Nga Celal Cakar, BILD

A mund të kishte paralajmëruar një vajzë në Gjermani policinë për vrasësin e fëmijëve në Teksas?

Një ditë pas vrasjeve në shkollën fillore ‘Robb’ në qytetin me 17 mijë banorë të Uvaldes në Teksas të SHBA, detaje të tmerrshme po dalin në dritë, të cilat tregojnë një lidhje mes agresorit dhe Gjermanisë!

Salvador Ramos, 18 vjeç, qëlloi dhe vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur në shkollën fillore të martën. Ai kishte qëlluar më parë gjyshen në banesën e saj. Ajo u dërgua në një spital.

Siç raporton tani kanali amerikan i lajmeve, CNN, autori ka pasur kontakte me një vajzë 15-vjeçare nga Frankfurti- madje pak përpara masakrës!

Sipas raportit, personi i armatosur dhe nxënësja ishin njohur në rrjetin social më 9 maj dhe kishin kontakte prej disa javësh, madje telefononin njëri-tjetrin çdo ditë në FaceTime.

Pak minuta përpara masakrës, Ramos i shkruante vajzës: “Sapo qëllova gjyshen në kokë. Tani do të shkoj të gjuaj në një shkollë fillore”.

CNN foli me vajzën pasi mori pëlqimin e nënës së saj për ta bërë këtë gjë. E mitura tregoi se si vrasësi i mundshëm dukej i lumtur dhe ndihej mirë kur flisnin në telefon.

Sipas nxënëses, agresori donte ta vizitonte në Gjermani dhe madje kishte kërkuar fluturime të mundshme. Ai i kishte dërguar mesazhe se sa shumë kohë kalon vetëm në shtëpi dhe se do vinte së shpejti. Por ai kurrë nuk i fliste për ndonjë plan me miqtë.

20 minuta përpara se t’i dërgonte mesazhin se kishte vrarë gjyshen e tij, Ramos thuhet se i kishte telefonuar dhe i kishte thënë nxënëses se ishte i dashuruar me të.

Kishte shenja paralajmëruese!

Siç vazhdoi të përshkruante vajza, ka pasur momente të shumta kur ajo mendonte se Ramos ishte i rrezikshëm:

-Një herë ai i shkroi se kishte hedhur mace të ngordhura në shtëpitë e të huajve.

-Të hënën ai i kishte thënë vajzës se kishte marrë një pako me municion. Plumbat zgjeroheshin nëse futeshin në trup!

-Vajza e pyeti se çfarë kishte ndërmend të bënte me të. Përgjigja e tmerrshme e Ramos ishte: Vetëm prit dhe shiko.

Pak më vonë, Ramos tronditi botën…