Satelitët fantazmë të Edi Ramës  6 milionë dollarë për një shfaqje në orbitë që s’u kthye kurrë në shërbim në tokë

Më 3 janar 2023, kryeministri Edi Rama njoftoi me bujë nisjen në orbitë të dy satelitëve shqiptarë, Albania 1 dhe Albania 2 duke e quajtur këtë një hap gjigant përpara për vendin. Sipas tij, satelitët u lëshuan nga baza e njohur e Cape Canaveral në Florida, me anë të raketës Falcon 9, si pjesë e misionit të përbashkët të SpaceX “Transporter 6”. Në letër, marrëveshja e nënshkruar më 29 shtator 2022 ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe kompanisë amerikane “Satellogic USA Inc.” parashikonte përdorimin e këtyre satelitëve për një periudhë 3-vjeçare dhe do t’i kushtonte shtetit shqiptar plot 6 milionë dollarë rreth 672 milionë lekë të reja.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këta satelitë do të shërbenin për një gamë të gjerë funksionesh strategjike dhe jetike: monitorimin e rrëshqitjeve të tokës, kontrollin e digave dhe urave, matjen e sipërfaqeve të përmbytura apo të djegura, trashësinë e borës, cilësinë e ujërave detarë dhe bregdetarë, ndjekjen e prerjeve të paligjshme të pyjeve, gjuetisë së paligjshme, kultivimit të kanabisit, ndërtimet e paligjshme në zona të mbrojtura, madje edhe kontrollin me dronë ushtarakë “Puma” për zjarret.

Por pas më shumë se një viti nga ky “sukses orbital”, asnjë prej këtyre shërbimeve nuk është realizuar. Asnjë institucion nuk ka marrë asnjë informacion të tillë satelitor, as Mbrojtja Civile, as Policia e Shtetit, as Emergjencat apo bujqësia. Shqipëria duket se ka paguar 6 milionë dollarë për të pasur një copë flamur në hapësirë dhe një video marketingu për rrjetet sociale të qeverisë.

Satelitët e shumëpremtuar nuk ekzistojnë në asnjë raport efektiv. Ata janë kthyer në një simbol të qartë të propagandës së zbrazët dhe një tjetër dyshim serioz për një aferë të mundshme korruptive me fonde publike. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetim për këtë skemë të dyshimtë që mund të përbëjë vjedhje të hapur të buxhetit të shtetit, ndërkohë që qytetarët përballen çdo ditë me mungesa reale në shërbime themelore.

Në vend të imazheve nga sateliti, Shqipëria duket se ka blerë vetëm një “kallëp tymi kozmik” dhe ajo që po digjet është llogaridhënia.