Marrja në pyetje e dëshmitares së parë vijoi po me dyer të mbyllura në Gjykatën Speciale në Hagë edhe ditën e dytë, duke u shoqëruar me polemika e dyshime për transparencën e institucionit. Pas prokurorisë, ishte radha e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistimin e gruas në fjalë, identiteti i së cilës nuk bëhet publik për shkaqe sigurie. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm fizikisht Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, ndaj të cilëve janë ngritur 10 akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Përpara se dëshmitarja të paraqitej në sallë, avokatët mbrojtës të Thaçit paraqitën një provë materiale për të rrëzuar pretendimet ndaj ish presidentit të Kosovës. Asnjë dëshmi nga gjithë marrja në pyetje e dëshmitares së parë nga Prokuroria Speciale gjatë katër seancave nuk do të dëgjohet nga shikuesit e interesuar. Asnjë pyetje ndaj gruas së panjohur dhe asnjë përgjigje e saj. Kjo është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale pasi ajo kërkoi të përfshijë materiale të reja në këtë seancë, në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur. Ajo nuk është kundërshtuar nga prokuroria dhe është pranuar nga trupi gjykues. Kjo ishte dita e dytë që dëshmitarja e prokurorisë po dëgjohet në seancë private, gjë që ka ngjallur pakënaqësi në Prishtinë. Për këtë kanë reaguar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së duke kërkuar më shumë transparencë nga “Specialja”. Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.