Sekuestrohen më shumë se 5.5 milion euro pasuri kriminale, merret vendimi drastik për 20 personat e përfshirë

Njëzetë persona janë vënë nën prangat e policisë për shkak se akuzohen se janë pjesë e një rrjeti kriminal në Spanjë, mes tyre ishin edhe disa shqiptarë. Autoritetet kanë sekuestruar më shumë se 5.5 milion euro pasuri kriminale.

Hetimet zbuluan se të dyshuarit kishin ndërtuar një infrastrukturë të përpunuar të prodhimit të drogës. Grupi i goditur kriminal ishte i vendosur në jug të Spanjës dhe përfshinte shtetas shqiptarë, marokenë, italianë dhe spanjollë.

Sipas mediave të huaja, ata drejtoheshin nga një shtetas italian dhe përdornin dokumente të falsifikuara indentiteti për të shmangur zbulimin.

Pasi u kontrolluan gjashtë shtëpi në Sevilje u bë i mundur arrestimi i autorëve, sepse policia zbuloi një plantacion të madh marihuana dhe laborator droge.

Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan dy ora luksoze, 16,545 euro para cash, 2,500 kg hashash, 45,6 kg marihuanë si dhe infrastrukturë kriminale duke përfshirë kamionë, një varkë, mjete për kultivimin e marihuanës dhe prodhimin e hashashit, si dhe 34 telefona celularë.

Gjithashtu u konfiskuan dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe identifikimi.

Hetimet në lidhje me këtë rast kanë nisur që në tetor të vitit 2021, kur një ngarkesë hashashi u gjet e fshehur në një kamion që transportonte paleta qepe. Forcat e rendit arrestuan dy drejtuesit e mjetit dhe sekuestruan 468 kg hashash. Kjo u pasua nga një tjetër sekuestrim i 194 kg hashash dhe 30 kg marihuanë në maj 2022.

Po në të njëjtin muaj, forcat e rendit ndaluan një varkë që vinte nga Maroku e cila përdorej nga organizatat kriminale në det të hapur dhe arrestuan tre pasagjerët e saj, si dhe sekuestruan 1800 kg hashash dhe mjetin lundrues.

Si hakmarrje, organizata ndërtoi laboratorin e tyre për prodhimin e hashashit dhe ngriti një plantacion të madh marihuanë në Spanjën jugore.

Ky hetim përfshiu më shumë se 150 zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe u drejtua nga Garda Civile Spanjolle me mbështetjen e Drejtorisë Qendrore Italiane për Shërbimet Kundër Drogës. Europol ofroi ekspertizë operacionale si dhe mbështetje analitike dhe operacionale që nga fillimi i hetimit 16-mujor.