Separatistët rusë: Për fatin e luftëtarëve të Mariupolit do të vendosë gjykata

Një gjykatë do të vendosë për fatin e luftëtarëve ukrainas që janë dorëzuar në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, tha një udhëheqës separatist në Ukrainën lindore, shkruan BBC.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass, lideri separatist i Donetskut, Denis Pushilin, ka thënë se “nëse kundërshtari i ka dorëzuar armët, vendos gjykata për fatin e tij të ardhshëm”.

Ai tha se çdo ukrainas që rezulton se është “kriminel lufte neo-nazist” duhet të përballet me një gjykatë ndërkombëtare.

Pushilin vërejti se komandantët e lartë në uzinën e çelikut janë brenda uzinës dhe nuk janë dorëzuar ende.

Pothuajse 700 luftëtarë të tjerë ukrainas janë dorëzuar në uzinën e çelikut në 24 orët e fundit, njoftoi edhe Ministria ruse e Mbrojtjes, por komandantët ishin ende të ngujuar brenda, ç’ka e zgjat edhe më fundin e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme në Evropë për dekada.

Nëse konfirmohet lajmi i dhënë nga Rusia, kjo do të zgjidhte pjesën më të madhe të misterit rreth fatit të qindra luftëtarëve brenda uzinës, pasi Ukraina njoftoi të martën se kishte urdhëruar të gjithë garnizonin të largohej. Por Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës deri më tani ka konfirmuar se vetëm 250 mbrojtës kanë dalë nga uzina.