Kryeministri Albin Kurti ka bërë një postim në rrjete sociale pas djegies së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, të cilën e ka quajtur djegie të qëllimshme.
Ai ka shkruar se Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka shkruar ai.