Sezoni i ri me probleme të vjetra, Ten Hag: Prandaj kemi blerë Hojlundin

Erik ten Hag u shfaq shumë i zhgënjyer pasi Mançester Junajtidi pësoi një humbje 2- 0 në fushën e Totenhemit dhe këmbënguli se shfaqja e tyre e dobët tregonte pse firmosën me Rasmus Hojlundin. “Djajtë” u mundën në kryeqytet pasi Pape Sarr shënoi golin e parë në minutën e 49-të përpara se Lisandro Martinez ta devijonte topin në rrjetën e tij në minutën e 83-të.

Por Junajtidi mund të kishte qenë lehtësisht në avantazh deri në këtë pikë me Markus Rashfordin e ndalur nga Vikario dhe Bruno Fernandeshin, ndërsa Antoni goditi shtyllën pas golit të “spërsave”. Totenhemi krijoi gjithashtu shumë mundësi në pjesën e parë, por e rriti paraqitjen e vet pas pushimit, për t’i dhënë trajnerit të ri Ange Postekoglou një fitore të parë në Premier Ligë. Rezultati e la trajnerin holandez të reflektonte, skuadra e të cilit e nisi sezonin të hënën e shkuar me një fitore me vështirësi 1-0 ndaj Uolvesit. Por Ten Hag sheh me optimizëm transferimin e Hojlundit, në pritje për të kaluar problemet fizike dhe debutuar në sulmin e 20 herë kampionëve të Anglisë:

“Ju e patë, performanca e pjesës së parë ishte shumë e mirë, por duhet të kuptoni se duhet të shënoni një gol. Për shkak të rëndësisë së golit të parë, lojtarët duhet të marrin përgjegjësi. Duhet përqendrim, pasion dhe dëshirë në këtë moment për të shënuar golin e parë. Ka të bëjë me besimin dhe ne u besojmë këtyre lojtarëve edhe për shkak të vitit të kaluar. Ata mund të shënojnë gola. Por është e qartë pse kemi nënshkruar me një sulmues. Nëse gjithçka shkon mirë, Marsial është në rrugën e kthimit, Hojlund po vjen, kështu që ne kemi më shumë lojtarë të aftë për të shënuar një gol, por edhe lojtarët e tjerë në fushë, edhe ata mund të shënojnë gola”.

Sulmuesi danez, i cili u transferua nga Atalanta në një marrëveshje që mund të shkojë deri në 72 milionë paund bashkë me bonuset, aktualisht mungon për shkak të një dëmtimi në shpinë dhe humbi ndeshjen kundër Totenhemit.