Trajneri i Realit të Madridit ka folur në konferencën për shtyp para takimit kundër Bragës sonte në mbrëmje. Por mediat spanjolle duket se kanë anashkaluar takimin në Champions dhe zhvendosur fokusin te “Klasikja” e së shtunës kundër Barcelonës. Megjithatë, italiani ka dribluar mediat dhe menduar vetëm për Ligën e Kampioneve “një kompeticion që pëlqehet shumë në Madrid”. Po ashtu ai ka folur edhe për gjyqtarët.
NDESHJA – “Është një mundësi për ne, do të ishte mirë të fitonim përsëri. Një ekip që luan mirë, që i pëlqen të ketë kontroll dhe sulm… ndaj mbrojtja do të jetë shumë e rëndësishme. Nga atje mund të përfitojmë nga cilësia që ne kemi”.
DOMINIMI NË EUROPË… – “Nuk mendoj se ne kemi dominuar Europën dhe kemi vuajtur në La Liga. Mendoj se për Madridin, Liga e Kampioneve është një kompeticion shumë i rëndësishëm. Është ai që na pëlqen më shumë të gjithëve (klubi, lojtarët, etj.). Këto të dhëna janë të veçanta dhe tërheqin vëmendjen, por ne duhet të vazhdojmë të shohim përpara”.
GJYQTARËT DHE POLEMIKAT – “Kam besim te gjyqtarët… herë pak më shumë e herë më pak. Nëse më pyesni për videot, ju e dini më mirë se unë se çfarë është liria e shprehjes. Secili ka të vetin. Duhet t’ua lë gjyqtarëve punën e arbitrazhit dhe e vërteta është se është një moment i veçantë në La Liga që derisa të sqarohet do të ketë gjithmonë këtë problem”.
“EL CLASICO” E SË SHTUNËS – “Tani nuk flasim për ‘El Clasico’, pasi jemi të fokusuar në ndeshjen tonë të Ligës së Kampionëve në Braga”.
ROTACIONE ME MENDJE NGA BARÇA – “Nuk mendoj për rotacione, por nuk do të thotë që kam vendosur të njëjtin ekip që luajti të shtunën. Duhet të vlerësoj gjendjen e secilit. Ka disa lojtarë që kanë shfaqur shqetësime. Kam për të vlerësuar situatën e disa lojtarëve. Lojtarë si Alaba dhe Mendi janë kthyer nga dëmtimet. Përveç kësaj, Naço rikthehet pas pezullimit të tij. Kam ende disa orë për të vendosur për formacionin që do të hedh në fushë”.