Sfida Napoli-Eintraht Frankfurt, Spaleti për çerekfinalen historike: Na duhet tru, zemër dhe by**

Napoli do të presë mbrëmjen e sotme Eintraht Frankfurtin në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8- ave, pasi fitoi sfidën e parë në Gjermani me shifrat 0-2.“Axurrët” kanë shansin të kualifikohen për herë të parë në historinë e tyre në çerekfinalet e Champions League, gjë që nuk arritën ta bëjnë në sezonin 2011-2012, kur, edhe pse mposhtën 3-1 Çelsin në shtëpi, u përmbysën në Londër me rezultatin 4-1. I vetëdijshëm se është vetëm 90 minuta larg të shkruarit emrin e tij me germa të arta në historinë e Napolit, në të njëjtin vit kur është shumë pranë titullit kampion në Itali, Luçiano Spaleti e ka konsideruar finalen e parë të sezonit ndeshjen e sotme, duke treguar edhe pritshmëritë që ka nga skuadra.

“Mund të jetë kjo finalja e parë e sezonit, sepse mund të përcaktojë shumë duke parë që do të hynte në historinë e klubit. Gjithsesi, kjo situatë nuk është presion i shtuar për lojtarët e mi, unë jam i qetë dhe ata po ashtu. Nuk duam të bëjmë llogari, do të ishte e gabuar, e dimë që jemi vetëm në 50% të rrugës, asgjë më shumë, asgjë më pak dhe tashmë duhet të mbarojmë punën që kemi nisur”, u shpreh trajneri i Napolit në konferencën për shtyp, duke analizuar më pas edhe përballjen. “E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë. Duhet të përsërisim paraqitjen që bëmë në Gjermani dhe të punojmë ashtu siç bëjmë gjithmonë me përulësi dhe shumë përqendrim, duke bërë atë që kemi përgatitur gjatë këtyre ditëve. Është një ndeshje që duhet fituar. Do të duhet zemër, tru, por edhe pak by** për t’ia dalë”, përfundoi Spaleti.