Shahtjori, antipastë për “Klasiken” ndaj Barcelonës, Ançeloti: Reali i Madridit do kualifikimin!

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka folur nga Varshava në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Shahtjor Donjetskut. Ky takim vjen vetëm 5 ditë para “Klasikes” kundër Barcelonës dhe trajneri italian mendon se kualifikimi për në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve do të jetë një shtysë më shumë për skuadrën për përballjen titanike të së dielës në “Bernabeu” kundër rivalëve historikë. Duke folur për ndeshjen kundër kampionëve të Ukrainës, Ançeloti ka thënë:

“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, do të zbresim për ta fituar dhe për t’u kualifikuar. Kualifikimi për më tej në Ligën e Kampioneve është objektivi i parë i sezonit dhe ne duam ta mbyllim këtë çështje që në Varshavë.

Nga ana tjetër një fitore kundër Shahtjorit do të na jepte një shtysë më shumë për ‘Klasiken’. Jemi gati për të bërë më të mirën në këtë ndeshje dhe në atë pasardhëse”.

Për takimin e sotëm, tekniku italian nuk ka përjashtuar mundësinë e rrotacionit, por e vetmja gjë që ka konfirmuar ka qenë prania në fushë që nga minuta e parë e kapitenit Karim Benzema, i cili ishte pushim në fundjavë në La Liga.

“Zakonisht, lojtarëve ua them dy orë përpara ndeshjes se kush do të jetë në formacion.

Por mund të konfirmoj se Benzema është në gjendje të mirë dhe do të jetë titullar.

Sa për Viniciusin, më duhet të mendohem pak, pasi ka luajtur shumë gjatë kësaj kohe. Po ashtu edhe Kros e Mendi do të jenë titullarë”, ka thënë trajneri i Realit të Madridit.

Trajneri i “Los Blancos’ nuk i është shmangur dhe komenteve në lidhje me situatën e krijuar në Ukrainë. “Kam folur me trajnerin e Shahtjorit dhe e kuptoj se për ta është një situatë shumë delikate. Ata punojnë mes vështirësishë. Ne solidarizohemi me ta dhe me punën e madhe që po bëjnë në këtë situatë”, tha Ançeloti.