Shënoi dygolëshin e dytë të sezonit, Bellingam: Po argëtohem tek Reali, ja përse bëj xhiro nëpër fushë

Humbja ndaj Atletikos vetëm sa e ka moti vuar më shumë Realin e Madridit. Fill pas humbjes në derbi (3-1), skuadra e Ançelotit është kthyer fuqishëm, duke marrë tri fitore radhazi në La Liga dhe një tjetër anë Ligën e Kampioneve.

Forcën e Realit e ka provuar të shtunën Osasuna, me “los blancos” që kanë dominuar tërësisht, duke fituar me shifrat 4-0, por që mund të kishin qenë më të thella për vetë mundësitë e krijuara dhe të shpërdoruara nga Reali, përfshirë këtu një 11-metërsh të Hoselut. Protagonistë kanë qenë treshja e sulmit, Bellingam, Vinicius e Hoselu, që të tre në tabelën e golashënuesve. Por natyrisht që edhe këtë herë skena ka qenë e gjitha për Xhud Bellingamin, autor i një dygolëshi, i dyti për të në këtë sezon në La Liga.

DEKLARATA – Natyrisht që Bellingami nuk mund t’u shmangej kamerave pas një tjetër recitali. Ai ka folur për ndeshjen dhe golat, por me sinqeritetin e tij ka pranuar se dhe vetë nuk e kishte ëndërruar një nisje të tillë në Madrid. “Unë jam një djalë me vetëbesim, por nuk e prisja një fillim kaq të mirë. Kanë qenë vetëm dhjetë ndeshje dhe ne do të duhet të ruajmë këtë nivel gjatë gjithë sezonit. Tani është koha për të shkuar me Anglinë, shpresoj të marr dy fitore dhe të rikthehem në të njëjtin ritëm”, tha ai në “Realmadrid TV”.

PRITSHMËRITË – Por Bellingami ka dashur të ruajë një profil të ulët, duke shtuar se do të bëjë çmos për të ndihmuar ekipin, por nuk premton gola në çdo ndeshje. “Nuk do të shënoj në çdo ndeshje, kjo është e qartë. Më duhet të përpiqem të ruaj këtë nivel për të fituar sa më shumë. Në këtë pikë të sezonit nuk mund të kërkosh më mirë se kaq. Jam me këmbë në tokë, por kam uri për më shumë”, nënvizoi ai. GOLAT – Anglezi ka shpjeguar dy golat ndaj Osasunës. “Goli i parë erdhi nga një kombinim i shkëlqyer nga Modriç dhe Karvahal. Kërkova një boshllëk brenda zonës me këmbën time të majtë dhe e godita. Në golin e dytë u kuptova mirë me Valverden; dy gola të bukur falë lojës së skuadrës”.

RITUALET – Diçka tjetër që ka rënë në sy te Bellingamit është mënyra e tij e të festuarit të golit dhe rituali i zakonshëm i xhiros nëpër fushë. Ndërsa për festimet ai e ka shpjeguar, tani ai ka sqaruar dhe ritualin tjetër… “Më pëlqen të dal më herët në fushë për të parë se ku do të luaj, kjo më bën të ndihem i qetë. E kam bërë gjatë gjithë karrierës sime dhe falë kësaj futem në fushë i qetë dhe pa tension”, tha ai.