Shifrat e Poterit, i kushtoi Çelsit 3.4 milionë paund për fitore dhe 1.2 për gol

Statistikat tronditëse pas largimit të Graham Poterit nga Çelsi kanë treguar se sa e kushtueshme ishte koha e tij e shkurtër në stolin e “Stamford Bridge”.47-vjeçari firmosi një kontratë 5-vjeçare në shtator për të zëvendësuar Tomas Tuhelin e shkarkuar dhe ish-trajneri i Brajtonit i drejtoi blutë 31 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku regjistroi 12 fitore, 8 barazime dhe 11 humbje. Gjatë kësaj serie skuadra shënoi 33 gola dhe pësoi 31.

Çelsi pagoi një shifër rekord për t’i prishur kontratën me Brajtonin, 21.5 milionë paund, po aq sa gola (21) blutë shënuan në Premier Ligë gjatë aventurës së tij. Poter paguhej me 190 mijë paund në javë dhe në total përfitoi 6.5 milionë paund paga.

Por divorci i hershëm i kontratës së tij bëri që ai të marrë edhe 13 milionë paund të tjera, afërsisht ¼-ta e kontratës së tij prej 50 milionë paundësh.

Dhe duke analizuar shifrat e tij, trajneri më i dobët i historisë së klubit në Premier Ligë i kushtoi Çelsit 3.4 milionë paund për çdo fitore dhe 1.2 milionë paund për çdo gol të shënuar në të gjitha kompeticionet.