Shisnin ilaçe kontrabandë gjatë pandemisë, në pranga edhe administratori i Farma Net Albania

Në kuadër të vijimit të operacionit “Përfitimi”, ku shiteshin ilaçe kontrabandë gjatë pandemisë, është arrestuar edhe një administrator farmacie në Tiranë. Më herët gjatë të njëjtit operacion u arrestuan 6 të tjerë, mes të cilëve 4 pronarë farmacish.

Në pranga përfundoi Sokol Topçiu, 57 vjeç, administratori i Farma Net Albania, i cili në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë. 57-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim, ndërsa sot ra në prangat e policisë.

Report Tv mësoi më herët se në këtë rrjet janë përfshirë 12 persona, mes të cilëve tashmë 7 ndodhet pas hekurave, dhe 5 janë ende në kërkim. Në skemën e shitjes së ilaçeve kontrabandë ishin përfshirë 4 farmaci dhe depo farmaceutike që në bashkëpunim me njëra-tjetrën u shisnin qytetarëve ilaçet kontrabandë.

Sokol Topçiu është administratori i Farma Net Albania, që ka rrjet farmacish , prej 100 të tillash në të gjithë vendin. Kjo kompani është themeluar në 2009. Kjo kopani është regjistruar për tregtim të artikujve te ndryshëm, import – eksport, pajisje elektrike dhe elektronike, elektro-shtepiake, duhan, cigare, medikamente farmaceutike, bujqesore dhe blektorale, veshmbathje, lëndë të para për industrine, materiale ndertimi dhe hidrosanitare, pajisje zyrash dhe kancelari, pjese kçmbimi auto e makineri të çdo lloji.