Nëse në Berat do të kërkonit një figurë që mishëron më së miri konceptin e “njeriut të shtetit në shërbim të krimit”, nuk keni pse të kërkoni gjatë, mjafton të thoni emrin Shkëlqim Xhezairaj.
Ky është ai zyrtari me uniformë që nuk shkel ligjin… jo sepse e respekton, por sepse ka kaluar përtej tij, në zonën e errët ku ligji përdoret vetëm si dekor për t’u shkelur.
Prej më shumë se një dekade, z. Xhezairaj e ka bërë vendin e tij të punës, Policinë e Beratit, një filial lokal të heshtjes, selektivitetit dhe shërbimeve të fshehta për “miqtë” e duhur. Zëvendësdrejtor që nuk lëviz, pavarësisht skandaleve që në çdo vend tjetër do sillnin hetim, shkarkim dhe burg. Në Shqipëri? Promovim për “qetësi publike” dhe aftësi për të mos parë.
Në një shtet ku ndonjë polic pushon nga puna për një gabim ortografik në raport, Shkëlqim Xhezairaj, zëvendësdrejtori i Policisë së Beratit, vazhdon të mbajë gradën, zyrën dhe telefonin në shërbim të krimit. Jo vetëm që ka mbyllur sytë ndaj shkeljeve të hapura të ligjit, por ka qenë vetë në epiqendër të një prej skandaleve më absurde të viteve të fundit: kultivimin e një sere me drogë, nën hundën – ose më saktë, nën përgjegjësinë e tij direkte.
Në një shtet normal, një zëvendësdrejtor policie që del përgjegjës për kultivimin e një sere me drogë do të përfundonte në pranga; por në Shqipërinë e ironisë së zezë, Shkëlqim Xhezairaj, zv.drejtori i Policisë së Beratit, e kaloi me një “vërejtje 6-mujore”, si të kishte harruar të ndizte dritat e zyrës, dhe sot vazhdon i qeshur të komandojë hetimet për ndërtimet pa leje, drogën dhe krimin e organizuar, duke mos arrestuar as trafikantë, as hajdutë prone publike, sepse siç duket, ai është më shumë roje e tyre sesa roje e ligjit.
Rasti më i freskët? Kreshnik Hajdari, një tjetër figurë që ngjan më shumë me një zhvatës të pasurive publike sesa me një zyrtar shteti, jep një leje ndërtimi në kundërshtim me çdo ligj dhe çdo ndërgjegje qytetare. Dhe kush e heton? Shkëlqimi ynë i përhershëm, i cili çuditërisht nuk gjen asnjë shkelje, asnjë përgjegjësi, dhe mbyll hetimin me një “ç’të bëjmë, ishte vetëm një truall publik…”
Por nuk ndalet këtu. Në të njëjtën frymë “mbrojtëse” për të fortët, Shkëlqim Xhezairaj mbyll sytë edhe ndaj ndërtimit pa leje të trafikantit Gert Mara, një personazh me histori të errëta dhe dosje në heshtje, që ndërton pa frikë sepse di kë të thërrasë. Dhe mesa duket, e ka numrin e drejtë: numrin e një zyrtari që e kupton “punën”.
Në një shtet ligjor, nuk është detyra e Shkëlqim Xhezairajt të vendosë nëse ka apo jo vepër penale, këtë e vendos prokuroria dhe gjykata por detyra e tij është të referojë çdo informacion, çdo indicie dhe çdo shkelje të ligjit në organin e akuzës; kur ai mban dosjet në sirtar, selekton çështjet dhe mbyll sytë ndaj trafikantëve apo zyrtarëve që abuzojnë me pronën publike, nuk është më polic në shërbim të ligjit, por kthyer në filtri i krimit që pengon drejtësinë të veprojë.
Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm që ngrejnë një tendë apo rregullojnë një çati, rrezikojnë ndëshkim administrativ dhe penal. Sepse për z. Xhezairaj, ligji është i shenjtë , për të varfrit. Për të tjerët, është një formë e hollë komerciale: negociable.
Burime brenda policisë pohojnë se Xhezairaj është përfshirë në ndikim të paligjshëm dhe korrupsion të strukturuar. Dhe për ata që pyesin pse s’ka asnjë procedim penal ndaj tij, përgjigjja është e thjeshtë: ai mban çelësin e dosjeve. Përfshirja e tij në mashtrime me call center-a, në mbrojtje të skemave që zhvasin qytetarë europianë në emër të fitimit, do publikohet së shpejti me zë, figurë dhe dokumente.
Ironia më e madhe? Që ndërsa qytetarët ndihen të pambrojtur, policia jonë ka një figurë “shkëlqimtare” në krye të strukturave të hetimit që garanton… mosndëshkimin e kujdesshëm të shkelësve të ligjit, mjafton të kenë lidhjet e duhura dhe numrin e telefonit të zyrës së tij.
Në vend të një uniformë policie, ndoshta duhet t’i japim një dekoratë për “besnikëri ndaj krimit”. Dhe ndoshta edhe një kolltuk të përjetshëm, sepse Shqipëria e drejtësisë së dyfishtë ka gjithmonë vend për një matrapaz me përvojë.