Shkroi librin “Si të vrasësh burrin tënd”, 71-vjeçarja përfundon në gjyq me akuzën e vrasjes së bashkëshortit

Shkrimtarja amerikane Nancy Crampton-Brophy, autore e librit të quajtur “Si të vrasësh burrin tënd” përfundoi në gjyq si e dyshuar për vrasjen e burrit të saj.

 

Sipas akuzës, 71-vjeçarja është autore e vrasjes së bashkëshortit të saj, shefit të kuzhinës Daniel Brophy, të cilin ajo dyshohet se e qëlloi në qershor 2018 për të marrë një prim sigurimi prej 1.4 milionë dollarësh.

 

Gjatë seancës së parë, zv.prokurorja e Oregon, Shaën Overstreet, pohoi se gruaja ishte e bindur se ajo kishte “kryer atë që ajo besonte se ishte krimi i përsosur”. Nancy do të ndiqte burrin e saj në punë dhe do ta qëllonte në shpinë përpara se të tërhiqte këmbëzën përsëri ndërsa burri shtrihej në dysheme.

 

Trupi i Brophy u zbulua nga një koleg në një kuzhinë në institutin e kuzhinës në Oregon më 2 qershor 2018. Hetuesit nuk gjetën shenja të veçanta të një zënke apo grabitjeje. Brophy kishte me vete telefonin e tij celular, portofolin dhe çelësat e makinës. Vdekja mbeti mister deri në shtator të vitit 2018, kur u arrestua gruaja e tij, e cila është deklaruar gjithmonë e pafajshme.

Menjëherë pas vdekjes së Brophy, gruaja ndau lajmin e vdekjes në Facebook: “Për miqtë dhe familjen time në Facebook, kam një lajm të hidhur për të ndarë. Burri dhe miku im më i mirë, shefi Dan Brophy është vrarë”.