Barcelona do të presë nesër në “Camp Nou” Bajern Mynih në ndeshjen e 5-të në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Në prag të duelit, trajneri Çavi Hernandez është shprehur se shpresa vdes e fundit. Ndër të tjera, Hernandez ka pranuar zhgënjimin që ka pësuar me klubin në këtë kompeticion.
“Shpresa është gjëja e fundit që humbet dhe se opsionet për të shkuar në raundin e 16-të janë minimale. Unë jam gjithmonë pozitiv, por kur nuk varesh më nga vetja, nuk je aq pozitiv. Është logjike, është njerëzore”, pranoi ai.
“Ka një shpresë të vogël, por nuk varemi nga vetja. Pyetja është si ta përballojmë: “Duhet të ruajmë mentalitetin. Ndjenja e besimit është e mirë dhe nëse nuk kualifikohemi në 1/8 duhet të vazhdojmë. Pavarësisht se çfarë ndodh në Milano, ne duhet të tregojmë se mund të konkurrojmë”.
Çavi e ka të qartë se Levandovski do të duhet të ndihmohet për të shënuar: “Kjo është një ndeshje hakmarrjeje, është një ndeshje për atë që nuk shënoi dhe për ekipin. Ne nuk jemi këtu për të testuar, ne jemi këtu për të fituar ndeshje dhe gara. Unë besoj shumë tek Buskets dhe tek Frenki, do t’i përdor në varësi se si shkojn ndeshja. Për mua Buskets është ende shumë i rëndësishëm”.
Ndaj gjermanëve do të jetë një Barça ndryshe, e cila ka pësuar një ndryshim në dy ndeshjet e fundit ndaj Vijareali dhe Atletikos.
“Ekipi ka personalitet, karakter. Ne nuk ishim në nivelin tonë më të mirë dhe skuadra ka reaguar shumë mirë. Është një grup fitues dhe ata donin të tregonin se mund të fitonin, por kjo vazhdon dhe ne duhet ta dëshmojmë këtë në çdo ndeshje. Ajo që dështoi në skuadër është se “ne nuk kemi qenë në nivel në shumë raste në ndeshjet e Champions League, në të tjera po ashtu si në Mynih. E kemi pasur në dorë dhe tani nuk varemi nga ne, ato janë gabimet tona”, përfundoi Çavi.