Anglia ka siguruar vendin e parë në Grupin B të Kupës së Botës pas një fitoreje 3-0 ndaj Uellsit, në një sfidë që nuk prodhoi rivalitetin që pritej nga dueli mes britanikëve.Pritej një duel shumë i luftuar me Uellsin që do të kërkonte kualifikimin, por Bejl & Co. kanë zhgënjyer plotësisht në këtë sfidë, duke mos u shfaqur asnjëherë rrezikshëm përballë portës angleze, sidomos në pjesën e parë të cilën e kaluan të tërën në mbrojtje.
Nga kjo përfitoi Anglia e cila shfrytëzoi më së miri rastet që krijoi në pjesën e dytë. Fillimisht ishte Rashford ai i cili shënoi me një goditje dënimi spektakolare e vetëm një minutë më pas shifrat u dyfishuan nga Foden.
Kjo vendosi fatin e sfidës pasi Uellsi nuk kishte forcë as të reagonte dhe goli i tretë, i shënuar po nga Rashford, i vuri kapakun fatit të duelit dhe dekretoi kalimin e Anglisë si e para në grup në fazën me eliminim direkt, teksa ktheu në shtëpi uellsianët.