Si të ndërtoni pa leje dhe t’i shpëtoni burgut, publikohet manuali i drejtësisë Sarandë/ Rasti Hita në një manual praktik për ndërtim pa leje, me garanci gjyqësore të përfshirë!

Edhe këtë verë, pushuesit në jug nuk do të mërziten. Përveç detit të kaltër dhe peshkut të skuqur, Saranda ofron edhe një shfaqje fantastike, ndërtim pa leje dhe me leje morale nga drejtësia! Dhe për të gjithë ata që duan të ndjekin këtë rrugë, kemi lajme të mira, sistemi i drejtësisë në qytet ofron zbritje dhe dënime të lehta, me abonim mujor si Netflix-i!

Po ju prezantojmë rastin spektakolar të zonjës Valseta Hita, e cila më 19 prill 2021, ndërtoi një objekt pa leje në një zonë me pamje nga deti në Ksamil Sarandë . Kjo nuk është ndonjë gjë e rrallë, se në Sarandë ndërtimet pa leje janë më të shpeshta se faturat e dritave. Por çfarë e bën këtë rast special?

Në gjykimin e kësaj çështje prokurorja kërkon ndëshkim…me dashuri. Prokurorja Esmeranda Basho, pasi e analizoi rastin me kujdes dhe doli në përfundimin: “Po mirë, ka ndërtuar pa leje, por ndoshta nuk ka ditur!”. Për këtë arsye, kërkoi dënim 2 vjet e 6 muaj… me kusht! Në Shqipëri “me kusht” do të thotë, “Shko në shtëpi dhe mos harro të ndërtosh edhe një kat tjetër, po të lutem mos bëj zhurmë”.

Dashuria vazhdon edhe në dhënien e vendimit nga gjyqtarja Edona Vajushi, e cila ka një profil profesional “me integritet të lartë” në letër, e pranoi menjëherë kërkesën. Vendimi i saj nuk ndryshoi as një presje nga kërkesa e prokurores duke dhënë një sinjal i fortë që ndoshta nuk e shqyrtoi dosjen por e shkroi me autopilot, ose ndoshta nuk kishte kohë për debat ligjor.

Në këto raste ligji flet, por drejtësia fle. Nëse do ti referohemi nenit 199/a i Kodit Penal është shumë i qartë, ndërtimi pa leje që ka sjellë pasoja të rënda dënohet me 3 deri në 8 vjet burg. Por ky ligj, për Sarandën, është si kodi i piratëve më shumë si sugjerim sesa rregull.

Askush nuk analizoi nëse kishte pasoja të rënda nga ndërtimi, apo nëse ndërtimi ishte për fitim. Çështja u trajtua me butësi, si të ishte një fëmijë që ka vizatuar në mur, jo si një krim urban që ndikon zhvillimin e qytetit.

Vendimi përfundimtar i dhënë në këtë rast është dënimi me 2 vite e 6 muaj, por me kusht. Në këtë rast mesazhi është i qartë “Mos u shqetësoni. Ndërtoni ku të doni. Prokurorja Basho dhe gjyqtarja Vajushi janë këtu për t’ju kuptuar dhe ndihmuar, jo për t’ju dënuar!”

Në një tjetër rast thuajse identik në të kundërt, personi tjetër (i quajtur për momentin Papuciu) nuk pati këtë fat. Ai ndërtoi me leje por gjyqtarja Vajushi aty u tregua e ashpër si drejtoreshë konvikti në vitet ’80. Gjyqtarja ndërtimin me leje e dënoi rëndë.

Legjenda urbane thotë se aty kishte shumë para në lojë, apo ndoshta thjesht atë ditë kishte pirë më shumë kafe të fortë. Për rastin e dytë do shkruajm në vijim……