S’kanë justifikim për humbjet”, legjenda zikaltër paralajmëron Interin: Kujdes, Benfika është Napoli i Portugalisë

Për “Corriere della Sera” Kristian Vieri ka analizuar klubet italiane, ku sigurisht që u është bashkuar lavdërimeve për Napolin dhe nuk ka kursyer as paralajmërimet për Interin dhe kundërshtarët e radhës në Champions League.“Napoli është një makinë e përsosur. Kurrë nuk kam parë një klub të shfaqet kaq i fortë pas një revolucioni të vërtetë teknik. Spaleti ka fituar përvojë dhe di të lexojë në mënyrë perfekte çdo detaj në momente të ndryshme të garës dhe të sezonit në përgjithësi”.

Napoletanët janë gjithashtu në mesin e tre italianëve në garë për Champions League.

“Futbolli italian mbetet i rëndësishëm. E bëjmë veten të respektuar, është një krenari e madhe. Kemi gjithçka për të bërë gjëra të nivelit të lartë”, thotë ishsulmuesi, i cili nuk kursen kritikat e mëdha ndaj Interit:

“Është e papranueshme të humbasësh 9 ndeshje nga 27 në kampionat. Interi është një skuadër gjigande, shumë e fortë dhe nuk mund të lërë kaq shumë pikë në rrugë. Unë pres shumë më tepër nga një skuadër e tillë dhe nuk mund të kenë kaq shumë ndërprerje në rrugën e tyre dhe të kenë një mungesë vazhdimësie kaq të theksuar”.

Pa dyshim që një vend të veçantë në fjalën e italianit e pati edhe Romelu Lukaku, ai që supozohej të mbante Interin mbi shpinë, për të cilin po ashtu nuk pati fjalë të ëmbla: “Lukaku deri më tani ka munguar, nuk ka qenë prezent në asnjë prej arritjeve të skuadrës. Sigurisht që është ndryshe nga ai që të gjithë prisnin të shihnin”.

Në fund vëmendjen e mori Benfika, për të cilën Vieri u shpreh: “Benfika është Napoli i Portugalisë. Është e fortë dhe do të jetë një sfidë e hapur. Jo më kot aty arkitekti është Rui Kosta, dikush që e thith futbollin si cigaren”.