GJKKO vendos sot se cilët dëshmitarë do të dëgjohen në gjyqin për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” pritet të mbahet ditën e sotme, teksa GJKKO do të vendosë se cilët nga dëshmitarët e kërkuar do të dëgjohen në gjyqin për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve në punishten e Gërdecit, teksa familjarët kanë kërkuar që në gjyqin që do të zhvillohet sot të merret edhe dëshmia e 12 personave të tjerë.
Mes listës, dallohen dy emra të rëndësishëm, ish-drejtuesit e kompanisë amerikane “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz, dëshmia e të cilëve mund të jetë shumë e vlefshme për gjykatën, pasi ata mund të rrëfejnë rolin e Shkëlzen Berishës në atë krim shtetëror që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.
Ndërkohë vetë Fatmir Mediu kërkon që të pyeten 90 dëshmitarë. Mes tyre figuron edhe ish-zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish-ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.
Në15 mars 2008, rreth orës 12:05, një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e demontimit të armëve vrau të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike, e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese.