Sot në mesditë, kampionët e Europës do të mësojnë kundërshtarin e tyre në çerekfinale. Portieri i Realit, Tibo Kurtua, ka një dëshirë nga shorti: nuk do një përballje me ish-skuadrën e tij, Çelsi apo me Mançester Sitin e Pep Guardiolës. “Në të vërtet nuk është se kam ndonjë preferencë për rivalin e mundshëm në çerekfinale. Cilido qoftë do të jetë një përballje dyshe e vështirë. Por sa për të ndërruar nuk do të doja Çelsin dhe Mançester Sitin. Me këto dy skuadra u përballëm në sezonin e kaluar, ndaj nuk do të doja një “deja vu”. Nuk është se i frikësohemi askujt, por thjesht do të doja një kundërshtar tjetër në çerekfinale”, tha portieri i “Los Blancos”, Tibo Kurtua.

“Milani dhe Interi duhet të kuptojnë se niveli në Ligën e Kampioneve është më i lartë: ka një shpejtësi tjetër dhe lojtarë që mund t’i shkaktojnë probleme. Napoli, nga ana tjetër, ka një mbrojtje dhe një mesfushë që lëvizin në sinkron, ndërkohë që milanezët nuk ma japin atë ndjesi.”Më këto fjalë, Fabio Kapelo ka komentuar ecurinë e skuadrave italiane në turin e fundit të Ligës së Kampioneve. Sot në mesditë, Interi, Milani dhe Napoli do të mësojnë rivalet për çerekfinalet e Champions-it.

Edhe Antonio Kasano ka rezervat e tij për milanezë. “E kamë thënë shpesh në ditët e fundit. Interi ka vuajtur shumë për të ardhur deri në çerekfinale, e nëse nuk ndryshon diçka në lojë do të vuajë akoma shumë. Sigurisht mund edhe të fitojë Champions-in me ata lojtarë që ka, por mënyra se si luajti ndaj Portos nuk më jep shumë shpresë. Edhe Milani ka mbërritur mes tetë më të mirave, por ka treguar se ndeshjet i gabon shpesh. Edhe në daljen e fundit në kampionat më dha idenë e një skuadre konfuze që gaboi shumë. Të tilla gabime në Europë, rivalet nuk i falin”.