SPAK, kërkon prokurorë ja kush janë 3 emrat që votohen të hënën. Njëri ka qënë 7 herë drejtues

Në një kohë kur Prokuroria e Posaçme SPAK, kërkon që organika e saj të shtohet dhe me dy prokurorë të tjerë, ditën e sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, tre kandidaturat Elvin Gogaj, Alfred Shehu dhe Sonila Muhametaj, i janë nënshtruar sot seancës së intervistimit nga anëtarët e KLP dhe këshilltarëve të huaj që veprojnë në SPAK. Konkursi për të qënë pjesë e SPAK, konsiston në faktin e garimit të tre kandidatëve me dosjet e tyre personale, që ata kanë hetuar gjatë karrierës së tyre. Dosjet që janë futur në konkurim bëjnë fjalë për hetimin e grupeve kriminale, korrupsionit dhe pastrimin e parave. I pari që ka hyrë në seancën e intervistimit ka qënë kryeprokurori i Sarandës, por që më parë ka shërbyer si zv/kryeprokuror i Elbasanit ka qënë Alfred Shehu. Shehu, ka përfaqësuar akuzën në disa ngjarje të rënda, kryesisht vrasjet në Elbasan. Ndërsa ngjarja që e bëri mjaft të njohur për publikun, ishte pikërisht dosja e vrasjes së, Pjerin Xhuvanit në Prill të 2021, ku zv/drejtuesi i prokurorisë gënjeu, kur u pyet nga gazetarët nëse kishte materiale zgjedhore ose jo në dy makinat e sekuestruara nga policia. Por vetë tre ditë më pas, prokurori Shehu, rradhiti para gjykatës së Elbasanit një sërë provash materiale, që kishin të bënin pikërisht me materiale zgjedhore dhe listash emrash votuesish. Ndërsa i dytë që ka hyrë në seancën e intervistimit ka qënë Elvin Gogaj, drejtuesi aktual i Prokurorisë së Apelit Durrës. Elvin Gogaj, është një kandidaturë potente për të qënë në SPAK. Gjatë gjithë karrierës së tij në prokurori, Gogaj ka shërbyer në pjesën më të madhe të kohës si Drejtues në 7 Prokurori. Si në Sarandë, në Burrel, në Fier, në Elbasan, Kurbin, në Prokurorinë e Apelit Shkodër dhe aktualisht në Prokurorinë e Apelit në Shkodër. Gogaj, ka kaluar me sukses të dyja shkallët e “Vettingut” dhe se tashmë përfaqëson akuzën në emër të shtetit, pranë Prokurorisë së Apelit në Durrës. “Kam mbajtur për disa vite postin e drejtuesit të prokurorisë si në Fier dhe Elbasan. Kam hetuar me sukses trafikimin e lëndëve narkotike, por edhe grupe kriminale që përplaseshin për proceset zgjedhore në vend”-deklaroi Gogaj. Fillimisht Gogaj, ka punuar si prokuror në Burrel, ku ka hetuar dhe gjykuar mjaft dosje të rënda dhe të rëndësishme të viteve 1997-1998, periudhë kjo që Burreli, ziente nga seritë e vrasjeve të hasmërisë mes dy bandave farefisnore “Dedja” dhe “Kola”. Në atë periudhë të përgjakshme prokurorit Gogaj dhe gjithë prokurorëve që ushtronin detyrën në Burrel, i duhej të qëndronin në zyrë me automatikë kallashnikovi, pasi bandat në Burrel kishin marë, komisariatin. Edhe pse situata, ka qënë në kufijtë e dramatikes për të bërë detyrën shtetërore, sot shumë dosje hetimore dhe dënimin e anëtarëve të këtyre bandave, mbajnë firmën e Elvin Gogaj dhe dy prokurorëve të tjerë që vepronin në atë periudhë në Burrel. Pas Burrelit, Gogaj është transferuar nga kryeprokurori i Përgjithshëm i kohës, Ylli Rakipi, në qytetin e Vlorës, duke ju besuar posti i zv/drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, detyrë të cilën e ka kryer për disa vite. Me ardhjen e Theodhori Sollakut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Elvin Gogaj, emërohet drejtues në Prokurorinë e Fierit, prokurori e nxehtë kjo për sa i përket kriminalitetit. Me ikjen e Sollakut dhe ardhjen e kryeprokurores Ina Rama, Elvin Gogaj është transferuar nga prokuroria e Fierit në prokurorinë e Elbasanit, në të cilën Ina Rama,ia besoi për gati 7 vite drejtimin e kësaj prokurorie. Pikërisht në këtë prokurori Elvin Gogaj për shkak të detyrës së tij pati kërcënime me jetë nga një grup kriminal në Elbasan, i dalë shpesh kohët e fundit në media. Kjo solli që ministria e Brendshme e asaj kohe ti garantonte jetën me efektivë të repartit “RESI” në Tiranë. Me ikjen e Ina Ramës dhe ardhjen si kryeprokuror të Adriatik Llallës, Elvin Gogaj është transferuar në një tjetër prokurori problematike siç është prokuroria e Laçit. Pikërisht në këtë detyrë ai ka qëndruar gati 1 vit dhe më pas është emëruar nga Adriatik Llalla në krye të prokurorisë së Apelit Shkodër, duke i besuar të mbulojë çështjet penale të rretheve Shkodër, Lezhë, Kukës,Laç, Pukë dhe Tropojë. Edhe pas ikjes së Adriatik Llallës, Elvin Gogaj është konfirmuar në detyrën e drejtuesit të Apelit Shkodër nga kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku. Ndërsa kandidatura e tretë që u intervistua në KLP, ishte ajo e prokurores Sonila Muhamedaj. Më parë kjo prokurore, ka shërbyer pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku për shkak të një revolte që pati në këtë prokurori, për çështjen e përfaqësimit të akuzës në gjyq të dosjes “Shullazi”, Muhamedaj u transferua në Pukë, nga ish-kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku. Më pas Muhamedaj u transferua nga Puka sërisht në kryeqytet, me detyrë prokurore e thjeshtë në prokurorinë e Tiranës, ku vijon ende dhe sot. “…fillimisht kam punuar në SHISH, prokurore jam emëruar në vitin 2006. Kam punuar në Krujë, Tiranë dhe më pas në prokurorinë e krimeve të rënda. Gjatë 15 viteve eksperiencë kam hetuar një sërë çështjesh. Besoj te SPAK për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dashuroj të hetoj veprat penale në fushën e korrupsionit…” -ka treguar prokurorja. Pritet që tre kandidaturat, Elvin Gogaj, Sonila Muhamedaj dhe Alfred Shehu, të votohen në KLP ditën e hënë, ku dhe do përcaktohet se kush do jenë dy emrat që do i bashkohen strukturës së SPAK.