Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasan. Dosja e mbyllur hetimore u është dorëzuar avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të Lefter Kokës dhe Klodian Zotos. Tashmë i takon avokatëve të cilët kanë 10 ditë kohë të bëjnë pretendimet e tyre në lidhje me këto përfundime që më pas dosja të paraqitet në GJKKO dhe kjo e fundit të vendosë kalimin për gjykim apo jo në seancë paraprake. Për inceneratorin e Elbasanit ndodhet në burg ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërkohë që ka masa sigurie edhe për Pëllumb Abeshin, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit ish-drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri ish-anëtari i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit, Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim. Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim. Serafin Papa: Ish-anëtar i Komisionit për dhënien e koncesionit.
Hetimet e SPAK për ish-ministrin
Ndërkohë, gjatë hetimeve të bëra nga SPAK për ish- ministrin janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish- ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës së koncensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”. Ndërkohë, kujtojmë se, SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan dhe e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës. Teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Në kërkim policor për këtë aferë korruptive vijojnë të mbeten ende Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, administratorë të kompanive koncensionare.
Akuzat që rëndojnë ndaj Lefter Kokës
SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto. Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit. Pasuritë e sekuestruara për Inceneratorin e Elbasanit janë: 14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²; 3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²; 1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²; 8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.