“Situata sizmike në Turqi dhe Siri vazhdon të jetë kritike. Goditja e dytë e të hënës me magnitudë 7.5 ballë në pllakën e Anadollit, u shpërnda për rreth njëqind kilometra në drejtim Lindje-Perëndim dhe në zonën qendrore shfaqi, megjithëse në një mënyrë të kufizuar, një zhvendosje prej dhjetë metrash”. shpjegon Alessandro Amato, ekspert në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali.
Energjia e akumuluar vitet e fundit kërkon ende kohë për t’u çliruar, siç dëshmohet nga përsëritja e vazhdueshme e pasgoditjeve, të cilat vazhduan të martën me ritme të shpejta, duke qëndruar në nivelin 4.7 të shkallës Rihter.

“Në fund të fundit, pllaka e Anadollit lëviz dy centimetra në vit në lidhje me pllakën arabe dhe forcat në lojë ushqejnë akumulimin e energjisë, – shton ai. Po bëhet një përpjekje për të studiuar tendencën e fenomenit me modele teorike të transferimit të energjisë, por rezultatet nuk ndihmojnë për të deshifruar qartë atë që mund të ndodhë nën tokë. Sigurisht, vitet e fundit, duke shqyrtuar të dhënat historike dhe duke vlerësuar deformimet e tokës me instrumente të reja si satelitët, kemi njohuri më të mëdha. Prandaj, ne mund të përmirësojmë parandalimin, ndërsa parashikimi mbetet i pamundur”.
Në fakt, historia sizmike e Turqisë, ofron buletine me numër të madh viktimash.
“Është një vend i prekshëm nga tërmetet, pasi e gjen veten në udhëkryqin e tre pllakave të mëdha në lëvizje të vazhdueshme”, shpjegon Aybige Akinci, një sizmologe turke, e cila tani është studiuese në Ingv italiane, por gjithashtu është e përfshirë në projekte bashkëpunuese me kolegë në Turqi.
“Në njëzet vitet e fundit, – vazhdon shkencëtarja, – tre tërmete mbi shtatë gradë të shkallës Rihter vërtetojnë një territor 90 për qind shumë sizmik dhe një nga më aktivët në Mesdhe dhe në botë”.

Vlerësohet se janë rreth 400 çarje aktive të kores së tokës, ku “disa gjykohen si më të rrezikshme si ai i njohur në jug të Stambollit, jo shumë larg qytetit, për të cilin të dhënat e mbledhura, tregojnë se një ditë do të thyhet, duke gjeneruar një tërmet të rëndë”.
Në vazhdën e ngjarjeve që karakterizuan shekullin e kaluar, viti 1939 mbetet një pikë referimi, në të cilën sizmologët nga e gjithë bota përqendrojnë vëmendjen e tyre edhe sot.
Një tërmet me magnitudë 7.8 ballë (i njëjtë me atë aktual), goditi Erziçanin në Turqinë lindore, duke shkaktuar numrin tragjik prej 33,000 viktimash, ndërsa qyteti ishte pothuajse i rrafshuar me tokën.
“Pastaj, – thotë Akinci, – çarja ndodhi në Anadollin verior për më shumë se një mijë kilometra, duke shkuar pothuajse nga një skaj i vendit, në tjetrin, duke shkaktuar një seri tërmetesh të dhunshme gjatë 60 viteve të ardhshme”.
