Garet Sauthgejt e ka lënë përsëri Rahim Sterlingun jashtë skuadrës së tij të Anglisë, pavarësisht formës që po kalon sulmuesi me Çelsin, ndërsa Xhordan Henderson dhe Xhejms Medison janë grumbulluar të dy për kualifikueset e “Euro 2024” të Anglisë kundër Maltës në “Wembley” në 17 nëntor dhe ndeshjes së tyre të fundit kundër Maqedonisë së Veriut tri ditë më vonë.
Sterling ka qenë titullar në 10 nga 11 ndeshjet e Çelsit në kampionat këtë sezon, duke shënuar tri herë, por ende nuk është grumbulluar nga Sauthgejti në kombëtare që nga Kupa e Botës 2022, nëntorin e kaluar. Tani ai e sheh veten në rrezik të madh për të humbur edhe kampionatin europian në Gjermani verën e ardhshme.
Por Sauthgejti mohoi se marrëdhënia e tij ishte krisur me një lojtar që më parë ishte një nga zgjedhjet e tij të para, ndërsa shpjegoi: “Ne e nisëm me një ecuri të mirë dhe paraqitjet në qershor ishin të shkëlqyera, kështu që ne kemi qëndruar me atë grup lojtarësh. Ne qëllimisht nuk kemi bërë shumë ndryshime. Rahim duket i rikthyer në formë, por ne jemi vërtet të kënaqur me ekipin”.
Pas prezantimit të listës, Garet Sauthgejt u ndal edhe tek VAR-i në ndeshjen Totenhem-Çelsi.
“U mërzita duke parë ndeshjen. Unë isha në stadium dhe vazhdoi dhe vazhdoi. Pra, pa menduar as për lojtarët, as për tifozët. Ana tjetër e medaljes është se unë mendoj se të gjitha vendimet e marra ishin të drejta në fund. Nëse ky është qëllimi i lojës, atëherë në rregull, por VAR ua heq të gjithë aromën golave. Dhe unë mendoj se koha aktuale e lojës ishte tepër e ulët, edhe pse kishim 21 minuta kohë shtesë. Të hënën, topi ishte në lojë vetëm për 43% të ndeshjes, totali më i ulët i regjistruar në Premier Ligë për dy vjet. Koha e nevojshme për vendimmarrje kur konsultohet me VAR-in, veçanërisht për pozicionet jashtë loje, është bërë një burim zhgënjimi për tifozët. Gjithmonë do të ketë vendime për t’u marrë dhe interpretime për t’u bërë. Mendoj se nëse kërkon probleme në zonën e penalltisë, nëse dëshiron të skanosh ndonjë kënd, etj., atëherë mund të japim goditje të lira, penallti në të dy drejtimet, lehtësisht. Unë nuk isha për (VAR) në fillim dhe nuk pashë asgjë, që mund të më bënte të ndryshoja mendje”, deklaroi Sauthgejt.