Sulmuesi francez i thotë jo zyrtarisht rinovimit, Bajerni i Mynihut fërkon duart

Mungesa e një “pyke” dinjitoze pas largimit të Robert Levandovskit nga Mynihu ende mbetet hapësirë boshe. Edhe pse Erik Maksim Çupo-Moting ka treguar formë të mirë me ngjyrat e rekordmenëve gjermanë, sërish drejtuesit e kampionëve të Bundesligës e kanë monitoruar tregun.Në listën e dëshirave ndodhet edhe Markus Turam. Bomberi i Mynshengladbah po përjeton sezon fantastik me “Mëzat” (23 ndeshje, e përkthyer me 14 konkretizime e 4 asiste), pikërisht ky motiv ka bërë që Kahn dhe Salihamixhiç ta vendosin në radar.

Njoftimet e fundit, sipas “Bild”, pohojnë se Markus u ka thënë jo drejtuesve të M’Gladbah për të rinovuar kontratën, e cila skadon në fund të sezonit aktual.

Kjo skemë do të thotë se bavarezët mund ta përfitojnë 25-vjeçarin pa shpenzuar asnjë kacidhe. Sipas “transfermarkt”, vlera e transalpinit shkon deri në kuotën e 32 milionë eurove.