“Tani t’ia dalim me Barcelonën”, 101 herë Xheko për të mposhtur Sasuolon: Handanoviç? Kur flet ai të gjithë e qepim gojën!

U desh të pritej sfida e së shtunës në “Mapei Stadium” që Edin Xheko të mbërrinte në numër treshifror golash në Serinë A dhe që Interi të gjente fitoren në kampionat pas dy humbjeve radhazi.

Zikaltrit mposhtën Sasuolon, viktimën e preferuar të boshnjakut me shifrat 1-2, me një dopietë të këtij të fundit, që e bëri të pavlefshëm rrjetën e Davide Fratezit, që shërbeu vetëm për barazimin e përkohshëm.

Me 36 vite e 205 ditë mbi supe, numri 9 i zikaltërve mbërriti në kuotën e 101 golave në Serinë A, duke i bërë lojtari i tretë më i vjetër që arrin këtë shifër pas Goran Pandevit e Serxhio Pelisierit, por duke shënuar një tjetër rekord edhe në historinë zikaltër, duke u bërë lojtari më i vjetër që realizon një dopietë pas Sinisha Mihajloviçit në 2005.

Por në vazhdën e të gjithë rekordeve që Xheko vendosi, padyshim që ato që vlejnë më shumë janë tri pikët shumë të rëndësishme të siguruara nga skuadra e Inzagit, të cilën në mesjavë e pret Barcelona. Për përballjen me katalanasit dhe jo vetëm, ka folur heroi i zikaltërve, Edin Xheko, që do të tentojë të ketë të njëjtin rol edhe në “Camp Nou”.

GOLAT – “Jam i lumtur që pas dy golave të anuluar, mund të mbërrij në këtë kuotë, por më shumë akoma për rëndësinë që patën për skuadrën.

Dua gjithmonë të jem i rëndësishëm dhe të shënoj, pasi ndjesia që marr kur topi kalon vijën fundore është e papërshkrueshme.

Nuk do të zgjidhja dot mes golave, mjafton që topi të kalojë vijën, edhe pse mbaj akoma mend golin e parë kundër Juventusit.

Picë për asistin, Mikhitarianit? Do të nxjerr gjithë skuadrën për darkë për të festuar”.

NDESHJA – “Fitorja ishte shumë e rëndësishme. Kalendari është shumë i ngjeshur, luajmë çdo tri ditë dhe të përballesh Sasuolon mes dy sfidave ndaj Barcelonës nuk është e thjeshtë.

Ndoshta para pak javësh një sfidë të tillë do ta kishim humbur, pasi nuk bëmë një ndeshje të mirë, kjo edhe për meritë të Sasuolos, por në fund vlejnë tri pikët”.

PËRGATITJA – “Kemi biseduar para ndeshjes dhe e kemi diskutuar atëherë që nuk duhet të turpëroheshim për të qëndruar të tërhequr duke pritur momentin e duhur. Kemi vuajtur të gjithë bashkë, por donim të konfirmoheshim pas Barcelonës dhe mendoj se e kemi merituar këtë gëzim.

Handanoviç? Ka mbajtur një fjalim, ashtu si gjithë kemi folur për momentin që po kalonin.

Por Samiri është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe dhomën e zhveshjes.

Kur flet ai, të gjithë e mbyllin gojën dhe dëgjojnë”.

BARCELONA – “Në sfidën ndaj Barcelonës mbërrijmë pozitivë, të gjithë e dimë vështirësinë që na pret, por kemi fituar pak ditë më parë ndaj tyre dhe do të provojmë ta bëjmë përsëri. Do ta përgatisim maksimalisht ndeshjen”.

LUKAKU – “Stimul nga konkurrenca? Nuk do ta quaja konkurrencë, jemi në një skuadër të madhe dhe kur fitojmë jemi të gjithë të lumtur. Një herë luan një dyshe e një herë një dyshe tjetër, por rëndësi për të gjithë ka fitorja.”