Thirret në minutat e fundit nga Deshamp, djali i ish-mbrojtësit legjendar të Juventusit do të shkojë në Katar

Të mërkurën e kaluar, Didier Deshamp shpalli listën me 25 lojtarët e thirrur që do të luajnë në Kupën e Botës në Katar. Trajneri pranoi se kishte kohë deri këtë të hënë në orën 19:00 për ta mbyllur përfundimisht.

Pavarësisht se janë thirrur 25 lojtarë, L’Équipe raporton se listës do ti shtohet edhe sulmuesi Markus Turam. Djali i ish-mbrojtësit legjendar të Juventusit do t’i bashkohet kampit të Francës të martën në Clairefontaine përpara se të udhëtojë për në Doha në orën 10:30 të së mërkurës.

Sulmuesi i Borusia Myshegladbahut ka bërë një fillim të shkëlqyer të sezonit. Me 13 gola dhe 4 asistime, Turam është kthyer në një nga lojtarët më të mirë në Bundesligë. Këtë të premte, ai ishte vendimtar në fitoren 4-2 ndaj Borusia Dortmundit me një gol të jashtëzakonshëm.