Interi dhe Juventusi do të përballen sot për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Pas barazimit 1-1 në Torino, dy skuadrat do të thonë fjalën e fundit në “San Siro”, aty ku veç njëra prej tyre do të prekë finalen e Kupës së Italisë.
Daniele Doveri është arbitri i zgjedhur për Inter-Juve. 45-vjeçari ka vendosur drejtësi edhe në derbin e Italisë në fazën e parë, të fituar 2-0 nga Juventusi. Në total, Doveri ka qenë 4 herë arbitri i kësaj përballjeje në të gjitha kompeticionet, me bilancin që është në ekuilibër total me 2 fitore për bardhezinjtë dhe 2 për zikaltërit, ajo e fundit në Superkupën e Italisë sezonin e shkuar ndaj Juves.
Kur Doveri ka gjykuar Interin, polemikat kanë qenë të shumta dhe kjo për shkak të një fotoje të arbitrit në aeroport, ku mban edhe çantë me logon e Interit. Doveri ishte kryesor edhe në finalen e Superkupës së Italisë në janar 2022, ky Interi fitoi 2-1. Nga moviola e asaj ndeshjeje, rezultonte që Juventusit i është mohuar një penallti, ndërsa Interit i është dhënë një penallti që duhej të ishte faull në sulm.
Të shumta kanë qenë komentet kundra të tifozëve në rrjetet sociale, duke qenë të bindur se Doveri do të jetë aty për të ndihmuar Interin. “Detyra për Interin, tashmë e dimë se si do të përfundojë kjo ndeshje”, shkruan një tifoz në “Twitter”. “Imagjinoj çfarë do të ndodhte nëse do të ishte një arbitër me çantën e Juventusit”, shkruan një tjetër. “Sa e neveritshme! Dërguan të njëjtin që shpiku penalltinë e famshme në finalen e Superkupës”, janë disa nga komentet e tifozëve.