Duke u ngarkuar. Ju lutem prisni…” Nuk është mesazhi i zakonshëm që na shfaqet të gjithëve para kompjuterëve, që lajmëron se është vetëm çështje kohe para se një program të përfundojë së ngarkuari, por është mesazhi i postuar nga Marselo Brozoviç në faqen e tij zyrtare në “Instagram”.
Ky shkrim i kroatit është lexuar gjerësisht si një paralajmërim për lamtumirën nga Interi që pritet të vijë, një lamtumirë, e cila duket më e afërt se kurrë. Al-Nasr vazhdon të ndjekë mesfushorin dhe pas 15 milionë eurove fillestare e ka rritur ofertën në 18 milionë, një shifër që nuk kënaq ende zikaltrit, të cilët kërkojnë 25 milionë euro për ta lënë të largohet 30-vjeçarin.
Interi pret që arabët ta rrisin edhe më ofertën e tyre dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen për një shifër më të ulët, edhe pse të ardhurat që do të vijnë nga Brozoviç, mbajnë peng transferimin e Fratezit në Milano.
Zhang ka qenë i qartë në vendimin e tij se pa shitje nuk do të ketë afrime të reja të kushtueshme dhe Marota e Auzilio po bëjnë maksimumin për të sistemuar çdo detaj të organikës.
Për t’iu rikthyer mesazhit, vetë Brozoviç duket se është tërësisht i bindur për t’iu bashkuar skuadrës së Kristiano Ronaldos, mbi të gjitha pasi arabët i kanë ofruar plot 15 milionë euro në sezon, ndërkohë që deri në 2026-ën tek Interi do të përfitojë 6 milionë euro në sezon.
Në minutat e fundit edhe Barcelona ka përsëritur interesin e saj, me zikaltrit që shpresojnë se konkurrenca do të ndihmojë që Al-Nasrin të përshpejtojë negociatat.