Luçiano Spaleti bëri realitet ëndrrën e mijëra tifozëve të Napolit, duke fituar titullin e tretë kampion në histori. Pas një sezoni thuajse perfekt, skuadra napolitane festoi titullin pas 33 vitesh, duke u kurorëzuar pak javë më parë.
Megjithatë, gjërat nuk po shkojnë në mënyrën më të mirë duke qenë se gjasat janë që skuadra të mbetet pa trajner. Mediat italiane raportojnë se mungon marrëveshja mes Spaletit dhe presidentit De Laurentis, pavarësisht se në javët e fundit ka pasur bisedime të shumta dhe takime mes tyre.
Kështu, trajneri italian është gati që të paraqesë dorëheqjen në presidencë, për t’i dhënë fund aventurës së tij. “Corriere dello Sport” raporton se janë tre arsye që po shtyjnë palët drejt divorcit.
E para lidhet me kërkesën e Napolit për të rinovuar. Kërkesa ka ardhur në klub nga një zyrtar i klubit e jo direkt nga presidenti, gjë të cilën nuk e ka pritur mirë trajneri. E dyta lidhet me konfirmimin si trajner nga De Laurentis pa marrë konfirmonin e trajnerit dhe e treta me mungesën e telefonatës për ta uruar për titullin kampion.