Toni Kros ndan mendjen, merr vendimin përfundimtar në lidhje me të ardhmen te Reali

Toni Kros dhe Reali i Madridit do të vijojnë së bashku edhe për një sezon. Lajmi është bërë me dije nga gazeta “Marca”. Gjermani mbërriti në Madrid në verën e vitit 2014 dhe do të mund të festojë të paktën një dekadë i veshur me të bardha, deri më 30 qershor 2024.

Kjo ishte dëshira e tij dhe e drejtuesve madrilenë, por mesfushori hezitonte të rinovonte me faktin se ai nuk dëshironte të zhgënjejë askënd. Dhe para se të merrte vendimin për të vijuar donte të ishte i sigurt se çfarë mund të ofronte në ata dymbëdhjetë muaj që do të ketë përpara nga 30 qershori.

Një vit më parë, klubi i ofroi atij vazhdimin e kontratës deri në vitin 2024, por Kros e refuzoi propozimin për shkak të dyshimit që kishte se si do të përgjigjej trupi dhe koka e tij, diçka që është e dukshme duke pasur parasysh performancën që gjermani po ofron ndeshje pas ndeshjeje.

Dyshimet janë sheshuar dhe mesfushori mendon se është i përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për të vijuar edhe një sezon në nivele të larta.

Sipas “Marca”-s tashmë ai ka njoftuar drejtuesit madrilenë për vendimin e marrë për të vijuar të luajë për Realin.