“Topi i Artë”, Mesi pritet të bëjë 8! Në Spanjë garantojnë për suksesin e radhës të “pleshtit”

Ceremonia zyrtare do të mbahet të hënën, më 30 tetor, në “Theatre du Chatelet”, por në Spanjë nuk kanë as më të voglin dyshim: Lionel Mesi është fituesi i “Topit të Artë” 2023.

E thënë ndryshe, për “pleshtin” argjentinas do të jetë i teti në karrierën e tij pas sukseseve në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019 dhe 2021. Asi argjentinas, i cili tashmë ka kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në radhët e Inter Majamit, mund të bëhet kështu futbollisti i parë që luan jashtë Europës që fiton mirënjohjen e dhënë nga “France Football”.

Fitorja e Kupës së Botës në Katar ishte vendimtare në një vit jo të paharrueshëm për 36-vjeçarin në nivel klubesh. Me duar bosh mund të mbesë rivali i tij i madh Erling Haland, i cili edhe bëri Tripletën në sezonin e kaluar me Mançester Siti duke fituar Champions, Premier Ligë dhe “FA Cup” dhe përveçse një breshëri golash që i garantuan “Këpucën e Artë”, sërish nuk arriti të bindë gazetarët nga 100 vende të botës që t’i mohojnë Lionel Mesit të rikthehet në fronin e “Topit të Artë”.

Në nivel klubesh, me fanellën e PSG-së, Mesi fitoi kampionatin francez dhe Superkupën, ndërsa si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në Kupën e Francës u ndal në 1/ 8-at. Ajo që la bilancin në favor të kampionit argjentinas ishte pushtimi i Kupës së Botës me Argjentinën si protagoniste absolute.

Gjithsesi, kjo fitore e radhës e këtij çmimi nga ana e Mesit, e cila nëse konfirmohet, është e sigurt se këtë herë do të shkaktojë shumë diskutime. Nuk ka dyshime që Mesi është Mesi, por nëse vlerësohet gjithmonë vetëm talenti dhe jo arritjet sezonale dhe numra e trofe marramendës si në rastin e Erling Halandit, atëherë “Topi i Artë” mund të humbë shumë nga prestigji i tij.