Tre muaj mungesë për shkak dëmtimi, Rei Manaj rikthehet me Uotfordin

Rei Manaj është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi dhe është shfaqur në stërvitje me skuadrën e Uotfordit, ku ka marrë një ngarkesë të plotë.Sulmuesi u dëmtua në ndeshjen e datës 27 gusht ndaj QPR-së, ku la fushën e lojës në minutën e 30-të, si pasojë e një lëndimi në gju.

Lojtari i Kombëtares iu nënshtrua edhe operacionit, teksa pas një faze tre mujore rikuperimi dhe pas ushtrimeve në palestër, më në fund është kthyer edhe në fushë duke u stërvitur plotësisht me grupin.

Kampionati në Angli nuk është ndërprerë dhe Uotfordi vazhdon në “Championship” me kalendarin, teksa Manaj do të jetë një armë më shumë për të arritur objektivin që është rikthimi në Premier Ligë.

Aktualisht pas javës së 21-të, ekipi i shqiptarit renditet në vendin e katërt me 33 pikë, ndërsa Bërnli që është në krye ka 41 pikë, ndërsa Shefild Junaited me 38 pikë, këto dy vende ngjiten direkt në elitë, ndërsa nga vendi i tretë deri tek i gjashti luajnë shanset në “play off”.

Në lidhje me rikthimin ka qenë edhe vetë sulmuesi që ka reaguar në rrjetin social “Instagram” nëpërmjet një postimi.

“I lumtur që rikthehem me ekipin”, shkruan Manaj. Sulmuesi nuk është angazhuar në ekipin kombëtar që prej muajit mars, në miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë.