Forma fantastike e treguar gjatë këtij sezoni e ka vendosur në shënjestrën e klubeve europiane Nikolo Barelën. Mesfushori, edhe pse ka pohuar disa herë për ta vazhduar karrierën e tij tek Interi, nuk përjashtohet të jetë i sakrifikuari i klubit nëse zikaltrit nuk arrijnë të sigurojnë kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm.
Në dijeni të situatës, i pari në listën e adhuruesve të 26-vjeçarit vazhdon të ngelet Liverpuli, pavarësisht interesit në rritje të PSG-së.
Jyrgen Klop e vlerëson së tepërmi italianin dhe sipas “Sportmediaset”, klubi anglez është gati të shpenzojë deri në 85 milionë euro për Barelën, një ofertë që nëse mbërrin në zyrat zikaltër do të ishte vështirë të refuzohej.
Vërtet numri 23 i zikaltërve konsiderohet si kapiteni i ardhshëm i skuadrës dhe ka një kontratë që skadon në 2026-ën, por në mungesë të kualifikimit në elitën europiane, nevoja për të arkëtuar mund ta shtyjë larg zikaltërve Nikolon.